Liderët në samitin e NATO-s duke ndjekur përballjen ndërmjet Kroacisë dhe Anglisë

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, kryeministrja britanike Theresa May dhe kancelarja gjermane Angela Merkel kanë shikuar së bashku përmes ekranit të telefonit celular minutat e fundit të ndeshjes së gjysmëfinales në Botërorin Rusi 2018 mes Kroacisë dhe Anglisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Loading...

Rama, Erdoğan, May dhe Merkel ndoqën çastet e fundit të takimit të gjysmëfinales në Bruksel, ku gjenden për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s.

Në një video të cilin kryeministri Rama e shpërndau në median sociale me shënimin “Minuta e Fundit”, gjendej edhe ministri i Jashtëm i Turqisë Mevlüt Çavuşoğlu.

Liderët, të cilët ndoqën me vëmendje çastet e fundit, nga ana tjetër e komentuan përballjen.

Në video shihet teksa shefi i diplomacisë turke Çavuşoğlu i tregon kryeministres britanike May se arbitri i ndeshjes Cüneyt Çakır është nga Turqia, ndërsa kryeministri shqiptar Rama ngushëllon May-in duke thënë se “Kupa Botërore po vjen në Ballkanin Perëndimor”.

Ndryshe, Kroacia u kualifikua në finalen e Botërorit duke mposhtur Anglinë me rezultatin 2-1 në vazhdime, pasi koha e rregullt përfundoi 1-1.