Liderët botërorë nesër në Paris

Në mikpritje të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, mbi 70 krerë shtetesh dhe qeverish do të marrin pjesë në fundjavë në një ceremoni përkujtimore në Paris me rastin e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, si dhe në Forumin e Paqes që do të organizohet për herë të parë, raporton Anadolu Agency (AA).

Loading...

Ceremonia do të organizohet të dielën në Portën Triumfale dhe Përmendoren e “Ushtarit të Panjohur” në Bulevardin Champs-Elysees me rastin e 100-vjetorit të “Ditës së Armëpushimit”, përfundimit zyrtar të Luftës së Parë Botërore me armëpushimin e nënshkruar midis Shteteve Aleate dhe Gjermanisë më 11 nëntor të vitit 1918.

Turqia në ceremoni do të përfaqësohet nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan, ndërsa në mesin e liderëve të tjerë që do të marrin pjesë do të jenë edhe presidenti amerikan Donald Trump, presidenti rus Vladimir Putin, kancelarja gjermane Angela Merkel, kryeministrja britanike Theresa May dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Liderët pjesëmarrës pritet të jenë pjesë edhe e Forumit të Paqes që do të organizohet për herë të parë. Macron, Merkel dhe sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, pritet të mbajnë fjalim për hapjen zyrtare të forumit, i cili do të fillojë në orët e pasdites të dielën.

Po ashtu, shumë liderë pritet të mbajnë fjalime në seancën “Deklaratë mbi Informacionin dhe Demokracionë, që do të fillojë pas fjalimeve hapëse.

Samiti i Paqes në Paris do të vazhdojë deri më 13 nëntor, ditë e martë.

Presidenti turk Erdoğan është paraparë të zhvillojë takime dypalëshe me liderët e disa vendeve gjatë vizitës së tij.