Lajm i mirë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural

spraying a field

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka hapur nga sot periudhën e aplikimit për pagesa direkte/subvencione për disa kultura dhe veprimtari bujqësore.

Për Programin për Pagesa Direkte 2018, MBPZHR ka planifikuar një buxhet prej 25 milionë eurove dhe afati për aplikim për këtë program fillon nga sot (15 shkurt) dhe përfundon më 31 mars 2018.

Ministria e Bujqësisë, në programin e sivjetmë ka paraparë subvencione për grurë, për farë gruri, për misër, për elbin, për thekrën, për luledielli, për lopë dhe buallica qumështore, për dele dhe dhi, për pulari, për bletari, për derrari, për thëllëza, për pemishtet ekzistuese, për perimet në fushë të hapur dhe në serra, për vreshtat ekzistuese, për bujqësinë organike, si dhe për fidane të pemëve drufrutore dhe hardhi të rrushit.

Po ashtu, subvencionim do të ketë edhe për akuakulturën, therjet e raportuara të gjedhit, për qumështin sipas kategorive të cilësisë dhe për verën e prodhuar dhe të deklaruar zyrtarisht.

Në Programin për Pagesa Direkte të këtij viti, është rritur përkrahja për kulturën e elbit dhe thekrës, ku nga 100 euro sa ishte vitin e kaluar, sivjet kjo mbështetje është bërë 150 euro për hektarë të mbjellë.

Po ashtu, te sektori i hortikulturës, nënsektori i vreshtarisë sivjet nuk do të ketë përshkallëzim të përkrahjes, por do të përkrahen të gjithë fermerët që kanë të mbjellë rrush me sipërfaqe prej së paku 0.10 hektarë, në vlerë prej 1000 euro për hektarë.

Ndërsa, kultivuesit e perimeve sivjet përveç mbështetjes për kultivimin e këtyre kulturave në fushë të hapur, do të mbështeten edhe për kultivimin në serra.

Risi tjetër në programin e  këtij viti, është edhe rritja e përkrahjes për bujqësinë organike, ku nga 300 euro sa ishte vitin e kaluar, sivjet kjo mbështetje është bërë 500 euro për hektarë.

Krahas kësaj ka risi edhe në sektorin e blegtorisë, tek therjet e raportuara të gjedhit, ku sivjet përveç kategorisë A dhe B, përmes pagesave direkte do të përkrahen  edhe kategoritë C dhe D.

Për më shumë informata, lidhur me procedurat e aplikimit për pagesa direkte dhe për kriteret e përcaktuara, fermerët mund të informohen në detaje në ueb faqet e ministrisë dhe Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë./Gazeta Bujku