Zbulohen detaje nga ngjarja e rëndë e ndodhur mesditën e sotme në qendër të Rrëshenit, aty ku u ekzekutua me armë zjarri Armando Gjini i njohur edhe si Tonin Gjini.

Viktima është qëlluar brenda automjetit të tij ku ka qenë bashkë me dy fëmijët e mitur.

3 muaj më parë Armando Gjinit i vendosën një sasi eksplozivi në sediljen e automjetit. Ai pikasi pakon e eksplozivit pasi dërgoi fëmijët në shkollë duke njoftuar menjëherë forcat xheniere. Bomba shpërtheu menjëherë sapo u prek në tentativë nga forcat xheniere për ta nxjerrë pakon nga makina.

Gjini u arrestua vitin e kaluar në datë 12 maj si pjesë e grupit të baronit të drogës, Met Kanani.

Vitin e kaluar në kuadër të operacionit ‘Precizioni’ Gjini u arrestua së bashku me 37 persona të tjerë, ndërsa u sekuestruan 8 ton drogë. Ushtria e Met Kananit shkëmbente kanabisin nga Shqipëria me heroinë nga Turqia. Por 4 ditë pas arrestimit Gjini u lirua nga burg, ndërsa hetimet e para janë pikërisht në këtë pistë.

Met Kanani njihet nga mediat turke si “Eskobari shqiptar” për shkak të famës që ai ka marrë atje si koka e një rrjeti të madh të trafikut të lëndëve narkotike përfshirë edhe heroinë e kokainë.