Ministri serb i Tregtisë, Rasim Lajiq, ka treguar për humbjet që i ka pësuar shteti serb që kur Kosova i ka vënë taksën 100 për qind mallrave serbe.

Ai ka thënë se taksa i ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomisë së vendit të tij ndërsa ka theksuar se do të ndikojë edhe në rritjen e GDP-së (BPP).

“Që kur Prishtina i ka vënë taksë mallrave të Serbisë qendrore, nëntorin e vitit të kaluar, në territorin e Kosovës janë eksportuar më pak mallra në vlerë prej 280,8 milionë euro”, ka thënë Lajiqi për televizionin publik serb.

Sipas tij, humbjet ditore janë 1.075.000 euro.

“Kjo është një humbje e madhe financiare”, tha Lajiqi, ndërsa theksoi se vendi i tij po i bën vlerësimet e dëmit dëmi në lidhje me rritjen e BPP-së, transmeton Koha.net.

“Skenari më i keq i cili besoj se s’do të ndodhë, është që kjo (taksa) të ndikojë me 0,8 pikë të përqindjes. Por, nuk besojmë se kjo do të ndodhë, sepse kjo do të nënkuptonte se askush nga biznesmenët tanë që eksportojnë mallra në Kosovë të mos gjejnë tregje alternative”, tha ai, ndërsa tha se beson se kjo, megjithatë nuk do të ndodhë.

Në pyetjen nëse pret që eksportuesit të gjejnë tregje alternative, në vend të që pritet hiqja e taksës, Lajiqi tha se në këtë moment kjo nuk është reale.

“Kemi kritë serioze politike në Kosovë e Metohi dhe zgjedhjet. Tani të gjithë po vrapojnë për të thënë se kush e vuri taksën i pari dhe e kujt ishte ideja, sepse kjo do të shfrytëzohet në fushatën zgjedhore për poenë politikë”, tha ai.

“Madje edhe ata që dikur thoshin që taksa duhet të suspendohet për 120 ditë, thonë se as pas zgjedhjeve nuk duhet hequr taksa, sepse vlerësojnë se kjo mund të sjellë ndonjë votë më shumë”, vlerësoi ministri serb i Tregtisë, Rasim Lajiq.