Lacazette e shpëton Arsenalin nga humbja ndaj Liverpoolin (VIDEO)

Sulmuesi francez Alexandre Lacazette ka shkëlqyer duke realizuar gol të vonshëm për ta shpëtuar Arsenalin nga humbja ndaj Liverpoolit në Premierligë, si dhe duke e zgjatur në 14 ecurinë pa humbje të skuadrës së Unai Emeryt në të gjitha garat, të shtunën në Londër.

Arsenali po vinte në këtë super duel si skuadër e pamposhtur në 13 ndeshjet e fundit në të gjitha garat, derisa Liverpooli si e tillë në këtë sezon të Premierligës, dhe u ndan baras 1-1 në “Emirates”.

Loading...

Arsenali rrezikoi i pari përmes Alexandre Lacazette pas vetëm katër minutave lojë, por francezi nuk arriti ta mposhtë Alissonin me goditjen e tij në këndin e poshtëm të majtë.

Pas një çereku lojë, Granit Xhaka e detyroi Alissonin të reagojë përsëri me një pritje fantastike pas goditjes së kosovarit të Zvicrës nga cepi i zonës.

Ndërkohë, në rastin e parë për Liverpoolin, Sadio Mane shënoi por goli i tij u anulua për pozitë jashtë loje.

Rasti më i mirë në takim i takoi qendërmbrojtësit Virgil Van Dijk, i cili ndali topin me gjoks i vetmuar para portës, por goditja e tij u ndal në mënyrë brilante nga Bernd Leno.

Një pjesë e parë, e dominuar lehtë nga vendasit dhe me raste të barabarta nga të dy palët, u mbyll pa gola.

Një orë brenda takimit, James Milner i dha epërsinë skuadrës së Jurgen Kloppit pasi e çoi një top të kthyer nga cepi i zonës në këndin e majtë të portës së “Topçinjve”.

Dhjetë minuta para fundit, kosovari tjetër i Zvicrës, u fut në lojë në vend të Roberto Firminos për të kuqtë.

Arsenali tregoi karakter dhe ia doli ta barazojë rezultatin tetë minuta para fundit, kur Lacazette me një pranim fantastik të topit e nxori nga loja portierin dhe shënoi në këndin e majtë të portës.

Liverpool ruan kreun me 27 pikë, një më shumë se Manchester City që, megjithatë ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Arsenali mbetet në vendin e katërt me 23 pikë, një më pak se Chelsea në të tretin dhe dy më shumë se Tottenham në vendin e pestë, por me një lojë më pak. /Gazeta Express/