Ky është Musa Halili, puntori i cili sot humbi jetën në vendin e punës

Dita e hënë ishte e kobshme për familjen Halili nga Gjakova. Gjatë orarit të punës familjari i tyre, Musa Halili humbi jetën, derisa ishte duke ndërruar disa prej shtyllave elektrike në fshatin Banjë të Malishevës. Por, familja e tij ende nuk po e di se si erdhi deri te vdekja e familjarit të tyre, pasi që siç thonë ende askush nuk i ka njoftuar zyrtarisht. Ndërkohë, që në KEDS dhe në kompaninë ku po punonte i ndjeri nuk kanë pranuar të flasin, shkruan Gazeta Express

Loading...

Shtëpia e familjes Halili nga Popoci i Gjakovës, të martën, ishte e mbushur plot mysafirë.

Gjithë këta ishin mbledhur për të ngushëlluar familjen Halili për vdekjen familjarit të tyre, Musa Halilit, i cili humbi jetën derisa po ndërronte disa shtylla elektrike. 51 vjeçari ka lënë pas vetes gruan dhe tre fëmijët e tij, dy vajza e një djalë.

Halili mbeti i vdekur, për shkak se njëri nga punëtorët që po manipulonte me kran, nuk e kishe kryer punën në mënyrën e duhur. Si pasojë, shtylla e drurit e kishte goditur në kokë Halilin duke i shkaktuar edhe vdekjen.

I ndjeri punonte për kompaninë kompaninë “Mont Comerc”, derisa për t’i kryer këto punë ishte kontraktuar nga KEDS’i. Gjithë ngjarja ndodhi në fshatin Banjë të Malishevës.

Ekipi i Gazetës Express dhe Televizionit T7 kanë qëndruar sot gjatë ditës në familjen e viktimës, të cilët kanë thënë se ende nuk kanë ndonjë njoftim se zyrtar se si ndërroi jetë familjari i tyre.

Vëllau i Halitit, i ka thënë Expressit se atyre vetëm u është thënë se vdekja e 51 vjeçarit ka qenë aksidentale.

Derisa ka deklaruar se trupi i viktimës ka arritur në shtëpi rreth orës 12:00, ndërsa varrimi i të ndjerit do të bëhet në orën 15:00, në varrezat e fshatit Popovc të Gjakovës.

Njoftimi për ceremonin e varrimit të Musa Halitit

E në kompaninë ku po punonte i ndjeri nuk kanë pranuar të deklarohen fare për këtë rast. Njëjtë kanë vepruar edhe në KEDS, pasi siç kanë thënë nuk është përgjegjësi e tyre.

Për vdekjen e Halitit, janë deklaruar edhe nga Inspektorati i Punës.

Kryeinspektori Basri Ibrahimi ka treguar për Gazetën Express se si ka ndodhur i gjithë rasti, derisa thotë se mbi bazën e raportit që do të hartojë inspektori i punës, do të ndërmerren edhe masa ligjore.

“Sipas informative të para nga inspektori i punës, aksidenti ka ndodhë në lagjen Begaj në Banjë të Malishevës. Gjatë punimeve në ndërrimin e shtyllave elektrike, punëtori i cili ka qenë duke e drejtuar kranin me të cilin shtyllat e vjetra kanë pas me i vendos në mjet transportues, nuk arrin të manipulojë mirë me shtyllën dhe e njëjta e godet punëtorin dhe i shkakton plagë vdekjeprurëse”, tha Ibrahimi për Express.

Derisa shton se për detaje të tjera duhet pritur edhe raportin e inspektorit të rastit.

“ Ende jemi në fazën e inspektimit. Inspektori i punës ka qenë në vendin e ngjarjes, prej të cilit I kemi marrë këto informata përpilon raportin dhe konstaton shkakun e aksidentit.Mbi bazen e raportit ndermerr  masat ligjore”, tha Ibrahimi për Express.

Shtëpia e viktimës

Rastin për Gazetën Express e ka konfirmuar edhe komandanti i Policisë për rajonin e Malishevës, Hazir Berisha.

Berisha ka bërë të ditur se punëtori ka vdekur në vend, dhe se në shtëpinë e Shëndetit është dërguar pa shenja jete.

“Informata është marrë rreth orës 16:00 pasdite. Një kompani e kontraktuar nga KEDS-i që merret me montimin e shtyllave të reja të betonit për elektrikë, pasi që i ka montuar shtyllat e reja, duke i zhvendosur shtyllat e drunit ato të vjetrat, me kamion duke e hjekur një shtyllë aksidentalisht nuk ka shku mirë puna rreth hjekjes së shtyllës, ajo është këput dhe e ka goditur pikërisht atë manipulatorin që ka shërbyer për ta ngarkuar shtyllën në kamion dhe e ka goditur në kokë punëtorin”, deklaroi Berisha për Express.

Ndryshe, vetëm këtë vit më shumë se 18 persona kanë humbur jetën në vendet ku punonin, shifër kjo që po konsiderohet si shqetësuese. Shumica e viktimave i përkisnin moshave të reja, dhe nuk kishin as edhe një dokument të vetëm që do të dëshmonte se ata punonin diku.