Vizitën zyrtare në Japoni, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka shfrytëzuar që të takohet edhe me përfaqësuesit e lartë të kompanisë më të madhe automobilistike në botë “Toyota”.

Në takimin me zëvendëspresidentin ekzekutiv të Korporatës Toyota, Mitsuru Kawai dhe menaxhmentin e fabrikës së prodhimit në Toyota City, presidenti Thaçi, ka kërkuar nga ta që të shqyrtojnë seriozisht kërkesën e tij për mundësinë e zgjerimit të tregut të Toyotës në Kosovë dhe përmes saj edhe  në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës.

“Ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të biseduar për mundësinë e zgjerimit të tregut të Toyotës në Kosovë. Në jemi vend i sigurt për investime, me ligje evropiane dhe fuqi punëtore të talentuar. Pas kësaj vizite do të kemi takime të tjera për të thelluar këtë bashkëpunim”, ka thënë ai.

Zëvendëspresidenti ekzekutiv i Korporatës Toyota, Mitsuru Kawai, ka mirëpritur idenë për të shikuar mundësinë e bashkëpunimit me Kosovën, por me kushtin që në Kosovë të rritet numri i përdoruesve të Toyotës.

“Fillimisht duhet të rritet numri i përdoruesve. Prandaj misioni i parë dhe kërkesa për popullin e Kosovës është që të vozisin sa më shumë Toyota”, ka shtuar ai./Sinjali/