Kush e vrau Ivanoviqin? Shitësi: U përshëndeta në mëngjes me të por…

Dikur shef i rojave të urës që dëbonin shqiptarë nga pjesa veriore, e më vonë edhe pjesë e institucioneve të përkohshme të Kosovës, dhe vizitor i shpeshtë në Prishtinë.

Oliver Ivanoviq, megjithatë, mund të konsiderohej një nga serbët më racionalë në veriun e “kapadainjve dhe kriminelëve”, i kontrolluar kryesisht nga pushteti në Beograd.

Loading...

Të martën, rreth orës 08:00, Ivanoviq u qëllua me 5 plumba nga afërsia, në një atentat të planifikuar mirë. Për vrasjen reaguan në Prishtinë, në Beograd, reaguan edhe diplomatë dhe institucione të rëndësishme ndërkombëtare. Vrasja e tij do të ketë implikime politike në relacionet Prishtinë-Beograd.

Ivanoviq, i njohur si person pozitiv dhe mjaft i mirë me fqinjët, u vra të martën para selisë së partisë së tij, e cila gjendet në veriun e Mitrovicës. Makina, nga e cila dyshohet se u krye vrasja, u gjet në Zveçan, e djegur, por vrasësit ende nuk janë kapur nga Policia.

“Ata e morën atë për herë të dytë, vetëm këtë herë nuk do të kthehet më” – kështu ka thënë gruaja e të ndjerit, Millena, pak orë pasi ia vranë bashkëshortin. Përveç gruas, Ivanoviq ka lënë prapa edhe një djalë të moshës së mitur.

Politikanët serbë thonë se si pasojë e kësaj vrasjeje tani mund të ndodhë destabilizimi në rajon.

Media ka qëndruar në veri të Mitrovicës, dhe aty ka siguruar edhe deklarata nga personat të cilët kanë biznese, dhe banojnë afër vendit të ngjarjes ku ka ndodhur vrasja e Ivanoviqit.

Fqinjët e Ivanoviqit kanë treguar detaje të kësaj vrasjeje. Madje, njëri nga ta, tregoi se ishte përshëndetur më Oliverin mëngjesin e sotëm, pak minuta para se ai të vritej.

Pronari i një lokali, por edhe i afërm i Ivanoviqit, ka thënë se nuk ka dëgjuar të shtëna, por kur ka parë policinë te selia e Oliverit, ka menduar se ka ndodhur ndonjë përleshje. Vrasja, sipas policisë, thuhet se ka ndodhur rreth orës 9:00 të mëngjesit.

“Nuk kam dëgjuar asgjë. Lokalin e kam hapur në orën 10:00. Veçse kam parë policinë te selia e Oliverit dhe kam menduar që aty diku ka ndodhë ndonjë përleshje”, tha, në kushte anonimiteti.

Madje, ai tregoi se me Ivanoviqin kishin qenë bashkë në klubin e karatesë, por gjithashtu janë njohur edhe familjarisht.

“Nuk e di që ka pasur ndonjëherë ndonjë problem me dikë, ka qenë njeri i mirë”, ka thënë pronari i optikës, që gjendet afër me selinë ku u vra sot lideri serb.

Një punëtor në një dyqan përballë selisë së partisë së Oliver Ivanoviqit ka thënë se në mëngjes është përshëndetur me Ivanoviqin, por më pas ka dëgjuar vetëm të shtënat.

“U përshëndeta me Oliverin në rrugë, pastaj erdha ta hap dyqanin dhe dëgjova 5-6 të shtëna armësh. Dola me pa çka ka ndodhë, por disa kalimtarë që ishin aty më thanë se Oliveri është alivanosur”, tha ai, derisa tregoi se nuk e ka parë veturën nga e cila dyshohet se u krye vrasja.

“Nuk e kam parë veturën sepse isha duke e hapur dyqanin. Oliveri ka qenë i mirë me të gjithë, dhe kjo që ka ndodhë është e tmerrshme. Të gjithëve na ka respektuar, dhe të gjithë këtu e kemi dashur”, ka thënë ai.

Sipas deklaratave të dëshmitarëve, vetura nga e cila dyshohet se u krye vrasja u gjet e djegur në Zveçan, veturë kjo e tipit “Opel Astra”.

Pak orë pas vrasjes, Policia e Kosovës ka ofruar shpërblim prej 10 mijë eurosh për cilindo qytetar që jep informacione lidhur me kryesit e kësaj vrasjeje.

Reagime lidhur me vrasjen ka pasur nga të gjitha anët, si nga politikanët kosovarë, ashtu edhe nga ata serbë. Presidentët e dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, kanë dënuar ashpër këtë vrasje, dhe kanë bërë thirrje për gjetjen sa më të shpejtë të autorëve.

Një raport i Departamentit amerikan të Shtetit, që u publikua dy ditë para vrasjes së sotme, paralajmëroi mbi gjendjen e sigurisë në veri të Kosovës.

Amerika lajmëroi qytetarët e saj që të kenë kujdes të shtuar në Kosovë, posaçërisht në veri, për shkak të terrorizmit.

“Tensionet brenda dhe ndërmjet komuniteteve vazhdojnë të nxisin dhunë, demonstrata dhe trazira të tjera në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan”, thuhet në paralajmërimin e DASH-it.

Mirëpo, sipas një deklarate të Oliver Ivanoviqit, katër ditë para vrasjes, duket se ai ka paralajmëruar për një atentat të tillë kundër tij.

Për agjencinë Srna, ai ka thënë se frikësohet nga një atentat i mundshëm, sepse, siç ka thënë, gjendja e sigurisë në pjesën veriore të Mitrovicës është tejet e keqe. Por, ky nuk ka qenë paralajmërimi i vetëm i tij. Në një intervistë të publikuar muaj më parë, në mediat serbe, Ivanoviq kishte akuzuar “kriminelët dhe kapadainjtë” bashkëkombës të tij për frikën e instaluar në pjesën veriore.

Media kishte realizuar një dokumentar për Oliver Ivanoviqin në shkurt të vitit 2016, i titulluar “Oliveri i tmerrshëm, Oliveri i mirë”.

Më 2014, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Ivanoviqit dhe e ngarkonte atë me akuza se ka bërë krime ndaj shqiptarëve gjatë kohës së luftës. Ai më pas u dënua me 9 vjet burgim, por në shkurt të 2017-s Gjykata e Apelit e kishte prishur vendimin e shkallës së parë, duke e dërguar rastin në rigjykim. Që nga ajo kohë, Oliver Ivanoviq ishte i lirë dhe vazhdoi aktivitetin e tij partiak.

Trupi i Oliver Ivanoviqit do të varroset në Beograd, sipas kërkesës së familjarëve të tij.