Kurti: Thaçi jo vetëm që nuk është President, por nuk është as i Kosovës

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se nga premtimet brenda vendit si kryeministër, Hashim Thaçi ka kaluar te premtimet nga jashtë vendit si president.

Loading...

“Dikur si kryeministër premtonte prej 200 mijë vendeve të punës në Kosovë e deri te formimi i komunave Kodra e Trimave, Has, Kievë, Hogosht e Zhegër. Sot si president premton bashkëngjitje të Luginës dhe anëtarësim të Kosovës në OKB, NATO e BE”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook, përcjell Koha.net.

Sipas tij, presidenti Thaçi po premton në emër të presidentit Aleksandar Vuçiq se do të na bashkëngjiten Presheva, Medvegja e Bujanoci; në emër të presidentëve Putin dhe Xi se Kosova do të marrë ulëse në OKB; dhe, në emër të Spanjës, Sllovakisë, Rumanisë, Greqisë e Qipros se do të anëtarësohemi në NATO e BE.

“Ky nuk është President i Kosovës por ambasador i vetëshpallur i këtyre instancave në emër të të cilave premton. Pra, Presidenti i Kosovës jo vetëm që nuk është President, por nuk është as i Kosovës. A thua e bën falas këtë punë ambasadori i vetëshpallur për shtetet që s’na kanë njohur? Nuk e di sa kush tjetër e paguan, por populli i Kosovës shumë shtrenjtë”, ka thënë Kurti, përcjell Koha.net. “Thaçi s’e ka për shtet tonin që u garanton liri qytetarëve, por për pushtet të vetin e që është e vetmja garanci e lirisë për të”, ka shtuar më tej.