“Kurrizi” pa ndriçim, rrezikohen kryeqytetasit

Qytetarët ankohen se në mungesë të ndriçimit në bulevardin “Kurrizi”, të rinjtë po përdorin substanca narkotike, raporton T7

Ndonëse nuk mund të vërehet, kjo është pjesa e quajtur “Te Posta e Madhe” në lagjen “Dardania” të Prishtinës, natën.

Nëse iu rastit të kaloni nëpër këtë lagje, në orët e mbrëmjes do të përjetoni errësirë totale, ndonëse kjo pjesë mund të llogaritet si qendër e kryeqytetit.

Mungesa e ndriçimit këtu po rrezikon jetën e qytetarëve, pasi dritat mungojnë edhe në pjesën e shkallëve të postës, edhe ashtu të shkatërruara.

Ata thonë se kjo hapësirë e pandriçuar është bërë strehë e të rinjve që përdorin edhe substanca narkotike.

Ndërkohë pronaret e objekteve po detyrohen t’i ndriçojnë  vet bizneset e tyre.

Errësira vazhdon përgjatë tërë “Kurrizit” deri tek sheshi “Bill Clinton”.

Punimet në bulevardin “Kurrizi”  kanë nisur katër vite më parë, por nuk kanë përfunduar asnjëherë.

Sipas qytetarëve, ky projekt afro 1 milionësh po zvarritet nga Komuna.

Ata akuzojnë kryetarin Shpend Ahmeti se u ka kërkuar votën e tyre, por nuk po i mban premtimet.

Projekti u nis për të përfunduar brenda 180 ditëve, por nuk ka përfunduar edhe pas 4 viteve, e si rrjedhojë kjo pjesë vazhdon të mbetet në errësirë.

Ndërkohë edhe përkundër insistimit të T7 për disa ditë me radhë, nuk ka qenë e mundur të marrë përgjigje nga komuna për këtë çështje.