“Kumarxhiu” i AAK-së (Dokument)

Edhe pse me politikë nuk po i shkon aq mirë, nuk mund të thuhet që i ka shkuar keq me biznes. Ish-shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, që tash ka mbetur jashtë Kuvendit, kishte deklaruar vetëm 460 mijë euro pasuri të paluajtshme dhe veturë në vlerë prej 15 mijë euro në mandatin e kaluar.
Gjini, që dikur ishte edhe ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, tash është njëri prej nënkryetarëve më të zëshëm të AAK-së. E, i zëshëm ishte edhe para disa ditëve kundër kryeministrit Mustafa, i cili për programin e Qeverisë tha se nuk iu pëlqen vetëm atyre që mendojnë t’i kthejnë kooperativat dhe shtetëzimin si sistem ekonomik, por as pronarëve formal e aq më pak atyre në hije të Kazinove e kumarhaneve, të makinave të lojërave të fatit, që po ua marrin edhe ato pak para që u kanë mbetur të varfërve.
Pas këtyre deklaratave, i menjëhershëm ishte edhe reagimi i nënkryetarit të AAK-së, Ardian Gjini. “Kryeministër je o njeri, mbylli kazinot e mos u çjerrë duke qarë”, kishte shkruar ai.
Se sa dëshiron Ardian Gjini që vërtetë të mbyllen kazinot, nuk mund ta dimë, por ajo që dimë dhe që duhet ta dinë qytetarët është se edhe në tokat e blera nga Ardian Gjini, miku tij Veli Hajdaraga dhe disa biznesmenë të tjerë, aty afër “Sllovenia Sportit”, funksionon një kazino. Madje, viti i përfitimit të kësaj toke, ku operon kjo kazino është pikërisht e kohës kur Gjini ishte ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në vitin 2006.
Një grup biznesmenësh, pjesë e të cilëve ishte edhe Gjini kishin blerë rreth 7 ari tokë në këtë pjesë të Prishtinës, në të cilën 1 ari tokë arrin deri në gjysmë milioni euro. Madje, edhe parcela ku është ndërtuar hoteli “Sirius” thuhet se ishte pronë e tyre.
Ndërsa, se prej kah i kishte siguruar mjetet financiare Ardian Gjini, një gjakovar ky i përbetuar, që të blejë tokë në lagjen ku më së shumti banojnë qytetarët më të vjetër të Prishtinës është shumë e paqartë. Gjithashtu, Indeksonline mëson se Ardian Gjini, i cili dikur akuzohej nga politika për parregullsi të shumta lidhur me shpenzimet e shpronësimit të banorëve të fshatit Hade, tokë të blerë ka edhe te Pallati i Drejtësisë në Prishtinë.
Sa Gjini ishte ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në proces të implementimit ishte edhe projekti i eksproprijimit dhe kompensimit të pronave në Hade, në të cilin ishin shpenzuar më shumë se 20 milionë euro dhe nuk ishte përmbyllur. Asokohe Gjini dhe njerëzit e afërt të tij akuzoheshin se kanë blerë toka dhe kanë ndërtuar banesa me mjete të këtij projekti, kurse siç mëson Indeksonline, ky projekt me dyshime të shumta për keqpërdorime, pas gjetjes së disa dëshmimeve të reja, përsëri është duke u hetuar nga Njësitë për Krime Ekonomike.
Biznesi me kazino, që është ngritur disa herë si dukuri shqetësuese edhe te ne, shihet si epiqendër e parasë së pistë në Kosovë dhe vlerësohet si mashtrim ndaj qytetarëve, sepse gjasa apo probabiliteti për të fituar nga bixhozi elektronik është shumë i vogël.
Shumica e kazinove në Ballkan vlerësohet se shpërlajnë paranë që fitohet nga nëntoka politike dhe kudo që ato operojnë e stimulojnë edhe prostitucionin dhe problemet e tjera sociale, që cenojnë mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve. /Indeksonline/