Kryetari Veseli takoi përfaqësues të institucioneve ekonomike, vendore e ndërkombëtare

Me qëllim të krijimit të bazës së nevojshme ligjore, për të krijuar një ambient sa më të përshtatshëm për iniciativën e lirë ekonomike, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot në Hotelin “Sirius” në Prishtinë, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të institucioneve ekonomike, vendore e ndërkombëtare, si dhe të bizneseve.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryetari Veseli tha ky takim dhe takimet tjera që do të jenë të rregullta, udhëhiqet nga ideja që të ndërtohet një grup këshillëdhënës prej të cilit dëshirohet të merren inpute të drejtpërdrejta mbi situatën e sektorit privat në Kosovë, si dhe të evidentohen hapat që duhet ndërmarrë për të përmirësuar situatën ekzistuese.
Kryetari i Kuvendit tha se tanimë është arritur një konsensus sa i përket prioritetit që duhet të ketë ekonomia, krijimi i vendeve të punës dhe përmirësimi i bilancit tregtar të Kosovës.
“Si kryetar i Kuvendit do të angazhohem që të krijojmë bazën e nevojshme ligjore dhe t’i heqim barrierat burokratike për të krijuar një ambient sa më të përshtatshëm për iniciativën e lirë ekonomike. Është interes vital që legjislacioni të jetë stimulues për biznesin, e jo ta ngulfatë atë”, theksoi Veseli, ndërsa shtoi se do të ketë referime të vazhdueshme mbi përparimin e bërë drejt këtyre inputeve të pranuara. Kreu i Kuvendit tha se fokusi do të jetë si në fushën e legjislacionit, ashtu edhe të problemet me zbatimin e ligjit.
Në vazhdim të fjalës së tij, kryetari i Kuvendit të Kosovës u ndal edhe në sektorin bankar, duke shtruar nevojën e zgjerimit të tregut të kapitalit dhe krijimit të kushteve për të plotësuar tregun e paluajtshmërive dhe hipotekimit të pronave. Për të stimuluar prodhimin dhe industrinë, shtoi kryetari Veseli, duhet liruar te gjitha inputet nga çfarëdo ngarkese doganore. Kreu i legjislativit, gjithashtu, shtroi nevojën e përkrahjes edhe për sektorin e teknologjisë informative.
Kryeparlamentari Veseli kërkoi nga të pranishmit komentet dhe propozimet e tyre përkitazi me legjislacionin ekonomik i cili tani është në fazë të draftimit, apo për ndryshime eventuale të ligjeve të kësaj fushe.
“Dëshiroj t’ju bëjë thirrje që në rast se keni një plan investiv, ta prezantoni atë para nesh, sepse është domosdoshmëri dhe urgjencë që të ndërmarrim hapa shumë të shpejtë për të krijuar perspektivë të qartë për qytetarët tanë”, tha ndër të tjera në fjalën e tij kryetari Veseli.