Kryeministri izraelit: Nuk kemi probleme me Asadin

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se nuk ka probleme me liderin e regjimit sirian, Bashar al-Asad, transmeton Anadolu Agency (AA).

Loading...

Sipas lajmeve në shtypin izraelit, Netanyahu ka bërë disa vlerësime për gazetarët në lidhje me zhvillimet e fundit në Siri, teksa ai largohej nga kryeqyteti i Rusisë, Moskë, ku ndodhej për në vizitë zyrtare.

Netanyahu është shprehur se vendi i tij nuk dëshiron të ndërhyjë në punët e brendshme të Sirisë dhe se në të kaluarën nuk kanë kryer një tentativë të tillë në këtë drejtim. Ai ka theksuar se janë të shqetësuar nga prania e Iranit, Hizbullahut dhe DEASH-it në Siri.

Pasi ka folur edhe për goditjen e 3 pozicioneve të regjimit nga ushtria izraelite pasi ditën e djeshme një dron shkeli hapësirën ajrore të Izraelit, Netanyahu tha se vendi i tij do të vazhdojë të mbrojë kufijtë e tij.

Duke bërë të ditur se nuk kanë ndonjë problem me regjimin e Asadit dhe se nuk është hedhur asnjë plumb nga Siria në Lartësirat e Golanit që ndodhen nën okupim që prej më shumë se 40 vitesh, Netanyahu tha se “Izraeli nuk është kundër pranisë së regjimit të Asadit në Siri. Por Izraeli do të vazhdojë të mbrojë kufijtë e tij kundër çdo shkeljeje nga kushdo që e kryen këtë duke përfshirë edhe ushtrinë e regjimit”.

Kryeministri izraelit u takua dje në Moskë me presidentin rus, Vladimir Putin. Theksohet se në fokus të takimit të dy liderëve që u takuan për herë të tretë në gjashtë muajt e fundit kanë qenë zhvillimet e fundit në Siri dhe prania e Iranit në Siri.

Netanyahu i dha Putinit mesazhin se Irani duhet të largohet nga Siria dhe se Izraeli do të vazhdojë të mbrojë kufijtë e tij nga çdo shkelje.