Shkruan Rrahman Paçarizi

Mosakreditmi i disa universiteteve rajonale në Kosovë është një shenjë e mirë e pavrësisë së Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Në anë tjetër, qëndrimi i sotëm i kryeministrit ishte krejtësisht politik dhe populist – nëse ai është i vendosur të ndërhyjë në KShC atëherë do ta bënte gabimin e dytë, me të cilin do t’ia jepte goditjen përfundimtare integrimit të arsimit kosovar në sistemin europian, pas shkarkimit të para dy vjetësh të këtij këshilli. Këshilltarët e tij për arsim (nëse ka të tillë) duhet t’ia shpjegojnë kryeministrit se arsimi nuk është çështje populizmi e votash, por thjesht çështje kriteresh e standardes që duhet të arrihen. Në vend se të kërcënojë se do të ndërmarrë masa, kryeministri do të duhej ta kishte aplauduar vendimin e KShC dhe ta nxiste e ta mbështeste minitrin e arsimit për reforma të thella në arsim.
Ministri Shyqiri Bytyçi me të cilin nuk pajtohem për shumë gjëra, ka pasë paralajmëruar mundësinë e shuarjes së universiteteve raonale dhe shndërrimin e tyre në filiala të UP-së, që do të kishte qenë një vendim i drejtë, pasi as UP nuk ka kapacitete të mjaftueshme kadrovike e profesionale për një pjesë të madhe drejtimesh dhe rrjedhimisht univeritetet rajonale janë shndërruar në qendra punësimi e strehë për mësimdhënës të dobët (sigurisht me përjashtime).
Atëherë, nëse jo mbyllje arbitrare, le të respektohen kriteret si për UP dhe kolegjet private, edhe për universitetet politike rajonale. Tekefundit, këto universitete janë themeluar si të tilla në kundërshtim me ligjin për arsimin e lartë, pasi ndër të tjera kanë nisur punën pa iu nënshtruar paraprakisht akreditimit dhe licencimit.
Prandaj, kryeministri dhe e gjithë politika kosovare duhet të jetë e kujdesshme në raste të tilla, pasi me deklarata populiste bëhen dy dëme njëkohësisht, në këtë rast:
E para i jepet goditje fatale integrimit europian të sistemit të arsimit të lartë në Kosovë dhe e dyta vazhdon mashtrimi për universitetet dhe për cilësinë.