Krijuesi i emblemës së FSK’së: Do të kërkoj nga kompania amerikane që ta largojnë logon, përndryshe do t’i padis

Ngjashmëria e emblemës së FSK’së me atë të një kompanie të sigurimeve në SHBA sot është bërë temë diskutimi në Kosovë. A e ka vjedhur këtë emblemë FSK’ja apo kompania me bazë në Florida, këtë e ka treguar njëri nga dizajnuesit e saj, Albian Gagica.

Gjithë dilemat e shkaktuara rreth emblemës së FSK’së, Gagica i ka qujatur qesharake. Ai ka thënë se skicat për emblemën e FSK’së janë krijuar qysh në vitin 2008, ndërsa kompania “American Premier Security”, e ka vendosur llogon para dy vitesh.

“Është qesharake ajo çka po ndodhë me mediat në Kosovë, skicat për stemat e Ushtrisë së Kosovës i kam të dokumentuara qysh në vitin 2008, dhe një krahasim i një pune kaq serioze me një kompani serioze që llogon e paska vendosë që dy vjet, është shumë qesharake. Po më vjen keq për popullin tim që ka ra në këtë grackë të medieve”, ka thënë Gagica.

Madje, ai ka shtuar se do të kërkojë nga kompania amerikane që ta ndryshojë logon, ose përndryshe do t’i padisë.

“Unë do të kërkojë nga kjo kompani që ta largojnë stemën, përndryshe do ti padis, fatmirësisht ekziston ligji dhe do të rregullohet edhe kjo gjë.”, ka thënë Gagica për KultPlus.