Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e radhës të kryesuar nga kryetarja Valdete Daka.

Në këtë mledhje, KQZ mori disa vendime në kuadër të procesit të përgatitjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi sloganin për zgjedhjet që do të mbahen në këto katër komuna: Vota juaj. Ardhmëria juaj.

Po në këtë mbledhje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për çregjistrimin e katër partive politike dhe shfuqizoi pezullimin për tri parti tjera politike. Sipas vendimit të KQZ-së partitë e çregjistruara janë: Partia e Ballit (PB); Partia e Fortë (PF); Aktivna Gradanska Inicijativa (AGI); dhe Savez Nezavisnih Socijaldemokrata (SNSD). Këto parti politike nuk kanë dorëzuar të dhënat e ndryshimeve vjetore as pas afatit shtesë.

Po ashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për të shfuqizuar pezullimin e tri partive politike: Partia Demokratike e Unitetit (PDU); Crnogorska Liberalna Stranka (CLS) dhe Nova Partija Kosova (NPK). Sipas vendimit të KQZ-së, këto parti politike kanë dorëzuar përditësimin e të dhënave vjetore në afatin shtesë.