Kosovari 23-vjeçar bën akt heroik në Belgjikë – i shpëton jetën një gruaje

Një akt heroik. Vetëm në këtë mënyrë mund të përshkruhet ndërhyrja që një kosovar 23-vjeçar, Andi Krasniqi realizoi të martën në qytezën De Panne, në veri-perëndim të Belgjikës.Edhe pse rrezikoi jetën e tij, Krasniqi shpëtoi një grua me aftësi të kufizuara (76-vjeçare) që ishte ngujuar në një shtëpi që po digjej në rrugën Kasteelstraat të De Panne-s, raporton mediumi belg Het Laatste Nieuws (HLN). “Vetëm pasi u futa brenda, e kuptoja se çfarë rreziku kisha ndërmarrë. Kam shpresë se ajo do ta rimarrë veten”, thotë Andi.

Andi, i cili është punonjës në dyqanin Idealhome në De Panne. Ai, rreth orës 14:30, pa se nga një apartment afër vendit ku punonte po dilte tym.

Loading...

“Nuk kam menduar dy herë”, rrëfen Andi. “Unë shkova drejt e në shtëpinë që po digjej, por nuk mund të hyja fillimisht brenda, kështu që shkova në dyqanin pranë shtëpisë. Zonja aty sapo kishte thirrur shërbimet emergjente dhe më tha se fqinji i saj ishte ende brenda. Ajo më dërgoi nëpër një korridor deri në derën e shtëpisë së djegur”, thotë Andi, përcjell Insajderi.

Zonja që punonte në dyqanin afër shtëpisë së djegur, e cila preferoi të mbetej anonim, nuk guxoi të hynte brenda për shkak se e konsideronte veten në rrezik të madh. Mirëpo jo Andi. Ai u fut brenda në shtëpi.

“Ishte tmerrësisht nxehtë brenda dhe dëgjova banoren që thërriste për ndihmë. Me shpresën se do ta gjeja atë brenda, papritmas ndjeva krahun e saj”, thotë Andi.

Me gjithë vështirësitë ai e kapi në krah për ta tërhequr jashtë shtëpisë gruan me aftësi të kufizuara. “Gruaja ishte tërësisht e palëvizshme dhe kishte mjaft peshë. Pastaj e zhvendosa atë deri në rrugë”, rrëfen Andi.

Gjithashtu edhe një fqinje tjetër në lagje, gruaja Muriel Vanwalleghem dhe një banor tjetër lokal i dolën në ndihmë Andi Krasniqit.

“Kur arrita, Andi e kishte nxjerrë gruan jashtë shtëpisë. Kur e nxorëm deri në rrugë, ambulanca dhe zjarrfikësit sapo kishin arritur. Ajo që Andi ka bërë është një akt i vërtetë heroik. Pak persona do guxonin të hynin vetëm në një shtëpi të djegur duke rrezikuar jetën e tyre”, thotë ajo.

Viktima J.D. (76-vjeçare) është aktualisht në qendrën spitalore në Neder-Over-Heembeek dhe ka pësuar djegje të rënda dhe helmim nga tymi. /Insajderi.com