Kosova në mes Palestinës dhe Izraelit*

Shkruan Gazmend Hoti

Loading...

Rasti i Palestinës është interesant për t’u krahasuar edhe me atë të Kosovës. Sikur edhe shumë evropianë dhe qytetarë të tjerë në tërë botën, shumica e kosovarëve kanë simpati për vuajtjet e popullit palestinez dhe për aspiratat e tyre për shtetësi. Populli i Kosovës ka vuajtur vetë për realizimin e të drejtave të tilla, prandaj nuk ka se si të mos i mbështesë edhe aspiratat e popujve të tjerë që e kërkojnë të njëjtën gjë. Por ajo që duket paradoksale është se Kosova dhe Palestina janë gjetur në anët e kundërta si raste. Përderisa në Kosovë shpallja e pavarësisë festohej duke ngritur flamuj amerikanë, në Palestinë kërkesa për njohjen e shtetësisë kremtohet duke e djegur atë flamur. Rusia bllokon njohjen e Kosovës nga Këshilli i Sigurimit por mbështet shtetësinë e Palestinës. Amerika do të bllokojë njohjen e Palestinës por fuqishëm mbështet Kosovën. Të gjitha vendet islamike mbështesin pavarësinë e Palestinës, ndërsa nje pjese  prej tyre ende nuk e kanë njohur Kosovën.[1]

 

Nr. Palestinë-Izrael Kosovë –Serbi
1 Çështja e refugjateve palestinez  Çështja e refugjatëve, shqiptarë e serbë
2 Jerusalemi  Mitrovica
3 Xhamia al-Aksa- Tempulli i Solomonit  Xhamia e Ibrit

Tabela  : Paralelet mes konflikteve Palestinë-Izrael dhe Kosovë-Serbi

 

Kështu, problemi i refugjatëve të brendshëm dhe atyre të ikur nga Kosova, serbë e shqiptarë, vazhdimisht është në agjendën e të dy palëve. Gjithashtu Mitrovica mund të shndërrohet lehtë në një Jerusalem të dytë, nga i cili nuk heqin dorë asnjëra nga palët.  Dhe Xhamia e Ibrit e cila ngjason me  rastin e Xhamisë al-Aksa ku izraelitet e dogjën  por nuk arritën ta shembin por përpjekjet e tyre nuk kanë të ndalur as edhe një dite te vetme qe ta rrënojnë dhe ta ngrehin tempullin e Solomonit, serbet e kane bërë këtë me kohë duke e  djegur dhe rrafshuar me eskavator, por ironia e kësaj qëndron se pala Kosovare nuk e qanë kokën shumë për ketë xhami. Dhe komunat serbe që mund të krijohen me decentralizimin, mund ta kenë të njëjtin karakter problematik në një përkufizim të ardhshëm të raporteve shqiptaro-serbe, siç e kanë sot vendbanimet e kolonizuara izraelite në Bregun Perëndimor. Dhe demarkacioni i kufijve paraqet një problem të ngjashëm më kufjet mes Palestinës dhe Izraelit. Dhe i vetmi parim që i zgjidh të dy problemet deri në fund është zbatimi konsekuent i së drejtës së popujve për vetëvendosje dhe normalizimi i marrëdhënieve arabo-izraelite dhe shqiptaro-serbe, duke mos lejuar njëkohësisht këta popuj që çështjet e tyre, përmes moszgjidhjes, të shndërrohen në instrumente që do të shfrytëzohen për interesat e shteteve të fuqishme. Çfarëdo përpjekjeje për rregullimin e padrejtësive historike për të dy problemet vetëm sa do të krijojë padrejtësi të reja dhe popujt asnjëherë nuk do të arrijnë të dalin nga rrethi vicioz i konflikteve. Natyrisht, çdo krahasim çalon. Sidoqoftë, një gjë është e qartë: nëse problemet vazhdojnë për një kohë të gjatë, ato rriten, mitizohen, politizohen skajshmërisht dhe zgjidhja e tyre vështirësohet dhe komplikohet. Si zakonisht, ata që i vuajnë pasojat pastaj janë qytetarët, pa dallim etnie..[2]

Në këtë aspekt qëndron krahasimi i shtetit të Kosovës me shtetin e Palestinës, pasi që tek rasti i Palestinës e kemi situatën e tillë në të cilin Izraeli nuk e njeh dhe pranon pavarësimin e Palestinës pa arritjen e një zgjidhjeje politike të dyanshme të pranueshme, dhe gjer atëherë, si e tillë, Palestina nuk mund të anëtarësohet në OKB pa rekomandimin e Këshillit të Sigurimit, pasi që një gjë të tillë nuk do të lejojë pikë së pari SHBA-ja, e mbështetur edhe nga Britania e Madhe dhe Franca. Tek rasti i Kosovës e kemi situatën e tillë në të cilin Serbia nuk e njeh dhe pranon pavarësimin e Kosovës, pa arritjen e një zgjidhjeje politike të dyanshme, në mes Serbisë dhe Kosovës, dhe gjer atëherë, si e tillë, Kosova nuk mund të anëtarësohet në OKB pa rekomandimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pasi që një gjë të tillë nuk e lejon pikë së pari Rusia e mbështetur edhe nga Kina.[3]

Atëherë natyrshëm mund të lind pyetja pse as Palestina e as Izraeli nuk e njohin Kosovnë ?

Të dy  ambasadorët në Serbi, ai  palestinez dhe izraelit ka dhënë deklarata kundër njohjes së pavarësisë se Kosovës . Konflikti mes palestinezeve dhe izraelitëve është pothuajse i ngjashëm me konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë. Por problemi i mos njohjes nga Palestina qëndron tek diplomacia Kosovare e cila nuk ka qasje të duhur në lobim jo vetëm tek Palestina por edhe tek vendet tjera arabe dhe islame.

Në Astana të Kazakistanit u zhvillua nga datat 27 qershor – 1 korrik 2011, takimi i 38 i Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Konferencës Islamike. Në këtë takim, ku merrnin pjesë 57 delegacione në nivel të lartë, delegacioni i Shqipërisë kryesohej nga zv. Ministri i Punëve të Jashtme z. Selim Belortaja. Në vijim të përpjekjeve të Shqipërisë për të çuar përpara procesin e njohjeve të Republikës së Kosovës, në këtë takim u arrit të miratohej një rezolutë e propozuar nga Shqipëria mbi Kosovën. Kjo rezolutë për herë të parë i bën thirrje atyre vendeve që nuk e kanë njohur ende Kosovën ta bëjnë një gjë të tillë, duke dhënë kështu kontributin e tyre për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e krejt rajonit.  Rezoluta përmban referenca të drejtpërdrejta për funksionimin e institucioneve legjitime në Kosovë, njeh Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, dhe mirëpret vendosmërinë e autoriteteve kosovare për forcimin e shtetit ligjor në të gjithë territorin e saj. Për më tepër, kjo rezolutë përmend arritjet e deritanishme në shtetin e ri, zgjedhjet e zhvilluara, sipas parimeve me të avancuara demokratike në kuadër të së ardhmes së Kosovës në Bashkimin Evropian.

Në Xhibuti, 17 nëntor 2012 – Këshilli i Ministrave të Jashtëm i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI), ka miratuar një rezolutë për Kosovën, në të cilën i bënë thirrje të gjitha shteteve të mbetura të kësaj organizate, që të njohin shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Në rezolutën e miratuar në sesionin e 39 të këtij Këshilli të zhvilluar në Xhibuti, OBI-ja thërret shtetet anëtare të Organizatës që të shqyrtojnë njohjen e pavarësisë së Republikës e Kosovës, “e cila bazohet në të drejtën për liri dhe sovranitet dhe në praktikën  nacionale”.[4]

Mbështetja për Kosovën nuk mungoi nga OBI prej momentit kur Kosova e shpalli pavarësinë e sajë. [1]Sekretari i Përgjithshëm i OBI-të, Prof. Ekmeledin Ihsanoglu, në fjalën e tij në takimin e stafit të lartë përgatitor për sesionin e njëmbëdhjetë të Konferencës së Samitit Islamike në kryeqytetin senegalez Dakar, shprehu kënaqësinë e tij për shpalljen e  pavarësinë së Kosovës nga ana e popullit të sajë dhe kjo ishte një ngjarje e rëndësishme historike, pas një luftë gjatë dhe vështirësive që kaloi  populli i Kosovë . Ai tha se  ne gëzohemi më këtë përfundim të lumtur, dhe i  njoftojmë   vëllezërit dhe motrat tona atje më solidaritetit të plotë dhe mbështetje. Sekretari i Përgjithshëm shpreson që kombet  islamike kanë detyre  ndaj Qeverisë dhe popullit  të Kosovës në luftën e re të ndërtimit të një shteti të fortë dhe të begatë. Ai gjithashtu theksoi se pavarësia e Kosovës do të forcojë pozitën e botës myslimane dhe do rrit bashkëpunimin e përbashkët islamik dhe progresiv.(ky mbështetje erdhi  vetëm një ditë pasi Kosova e shpalli pavarësinë  e  sajë 18.02.2008.[5]

Qëndron edhe një fakt se Serbia shfrytëzon lidhjet e mira diplomatike qe kishte qysh nga koha e ‘’Luftës se Ftohtë’’ me vendet e painkuadruara dhe shumë liderë nga vendet arabe kishin përfunduar studimet në Beograd si Sadami, Gadafi etj, dhe regjimet e ketyre shteteve ishin komuniste gjë e cila ndikoi në mosnjohjen e Kosovës nga ana e tyre.

Nga ana tjetër Izraeli sikur ka harruar kontributin e shqiptareve për Hebrenjtë e strehuar dhe te ndihmuar gjate Luftës së Dytë  Botërore, ose ne nuk po dimë të kemi qasjen ne diplomaci.

“Trevat shqiptare, të Kosovës e Shqipërisë, janë të njohura si treva në të cilat në kohën e Holokaustit u rrit numri i hebrenjve. Të vetmet treva në Evropën kontinentale ku është rritur numri i hebrenjve janë këto treva. Po të mos kishte qenë toleranca, mirëkuptimi, bashkëjetesa, nuk do të kishim mundur t’i thoshim këto fjalë”, shprehet  Përfaqësuesi i tyre, Votim Demiri, nga Bashkësia Hebraike e Kosovës.

Pavarësia e Kosovës ende nuk njihet nga Izraeli, dhe vazhdon të jetë një nga vendet e pakta të Evropës, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë për në Izrael pa viza.

Në Prishtinë, në shenjë përkujtimi për hebrenjtë e Kosovës që u zhdukën në kampet e nazistëve gjatë Holokaustit, është ngritur një memorial, i cili gjendet në mes të ndërtesës së Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës në Prishtinë. Pikërisht në këtë lokacion, deri në vitin 1963 ka qenë Sinagoga e Prishtinës.Në këtë memorial, shkruan “Populli i Kosovës nuk do t’i harrojë kurrë” .[6]

Gati e njëjta  gjendje qëndron edhe me mos njohjen e Kosovës nga Vatikani!?

 

[1]http://koha.net/?id=8&arkiva=1&l=70906, (me datë,18.10.2016)

[2]http://www.albaniapress.com/lajme/7863/Valon-Murati–Çka-kane-te-përbashkët-Gaza-dhe-veriu-i-Mitrovices.html,.. Op.,cit, (me datë 23.10.2016)

[3]http://www.telegrafi.com/kosova-dhe-palestina/, (me datë, 18.10.2016)

[4]http://www.mfa-ks.net/?page=1,4,1496, ( me datë, 20.10.2016)

[5] http://www.oic-oci.org/oicv3/topic/?t_id=841&ref=398&lan =ar, (me datë, 20.10.2016)

[6].( http://www.telegrafi.com/shqiptaret-ofruan-token-e-premtuar-per-hebrenjte/, me datë, 20.10.2016 )

*Ky shkrim është pjesë e punimit “Konflikti Palestinë – Izrael dhe pretendimet për Jerusalemin”, me të cilin autori, më 2016, ka fituar gradën master i Administratës Publike dhe Diplomacisë, në Kolegjin AAB në Prishtinë.