Kosova dhe Mali i Zi do të ndihmojnë njëra – tjetrën në integrimet euroatlantike

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka pritur sot në një takim kryeministrin e Republikës së Malit të Zi, Dushko Markoviq, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin mes dy vendeve.

Kryetari Veseli dhe kryeministri Markoviq theksuan se Kosova dhe Mali i Zi janë shtete mike, që kanë ndihmuar dhe po ndihmojnë njëra-tjetrën në integrimet eurotalantike. Në këtë drejtim të dytë theksuan gatishmërinë për të zgjidhur me dialog çdo çështje mes palëve, përfshirë edhe demarkacionin.

Kreyeparlamentari Veseli theksoi nevojën që kjo marrëveshje të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës dhe që të dy vendet, Kosova dhe Mali i Zi, përveç në integrimet euro-atlantike, të punojnë ngushtë në forcimin e raporteve ekonomike.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës tha se komuniteti shqiptar në Mal të Zi dhe ai malazez në Kosovë, shërbejnë si ura të forta për avancimin e mëtejmë të këtyre marrëdhënieve. Kryeparlamentari Veseli i konsideroi pozitive dhe të rëndësishme vendimet e shtetit malazez për themelimin e Komunës më shumicë shqiptare të Tuzit dhe miratimin e vendimit i cili parasheh zyrtarizmin e gjuhës shqipe në komunat në të cilat shqiptarët përbëjnë mbi pesë për qind të popullsisë.

Veseli po ashtu theksoi rëndësinë e realizimit sa më të shpejtë të rrugës Deçan-Plavë, e cila, siç tha ai, do të lehtësonte ndjeshëm qarkullimin e qytetarëve në të dy anët e kufirit, por do të kishte efekte pozitive edhe në shkëmbimet tregtare midis dy shteteve.

Kreu i Kuvendit të Kosovës theksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për t’i dhënë komunitetit malazez në Kosovë hapësirën e nevojshme kushtetuese, duke i hapur rrugë kështu integrimit më të madh të tij në institucione.

Kryeministri i Malit të Zi vlerësoi raportet në mes të dy vendeve si shumë miqësore, duke shprehur përkushtimin e Malit të Zi që të ndihmojë Kosovën në rrugën e integrimeve euro-atlantike.