Konfirmohet edhe nga FFK: Drenica mund të regjistrojë vetëm dy nga katër lojtarët e huazuar nga Feronikeli

Skuadra e Drenicës dje ka njoftuar për huazimin e katër lojtarëve nga rivali i tyre, Feronikeli.

Argjend Bardhi, Diar Prokshi, Nicolas Andrews dhe Prince Balde u huazuan nga Feronikeli te Drenica, por ky ‘operacion’ i kryesisë së Drenicës është vështirë të jetësohet, shkruan GazetaBlic.

Nga katër lojtarët e lartëpërmendur, vetëm dy mund të bartin fanellën e Drenicës në të ardhmen, kjo pasi rregullorja e FFK-së tregon qartë se një klub mund të huazojë vetëm dy lojtarë nga një klub tjetër.

“Po jam njoftuar sot nga Administrata e Federatës së Futbollit të Kosovës. Klubet duhet t’i njohin rregullat tona, andaj klubi i Drenicës mund t’i regjistrojë vetëm dy nga katër lojtarët e huazuar. Kjo është rregullorja e FFK-së dhe një gjë e tillë praktikohet për shumë arsye edhe në shtetet e tjera të Evropës”, tha sekretari i FFK-së, Eroll Salihu për ‘GazetaBlic’.

Më poshtë mund të shihni rregullorën e Federatës së Futbollit të Kosovës për huazimin e lojtarëve profesionist.

Neni 31.

“Një klub mund të huazojë dhe të regjistrojë lojtarë nga klubet tjera më së shumti 6 lojtarë, ndërsa më së shumti 2 lojtarë nga i njejti klub”.

Foto e marrë nga GazetaSheshi