Komuna e Skenderajt ka bërë të gjitha përgatitjet për Manifestimin “Epopeja e UÇK-së”

Për nder të veprës së lavdishme të Komandatit Legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij. Komuna e Skenderajt ka bërë të gjitha përgatitjet për Manifestimin “Epopeja e UÇK-së”. Komuna e Skenderajt si bashkorganizatore e Manifestimit “Epopeja e UÇK-së”, tashmë ka bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e këtij Manifestimi të rëndësishëm, në 17 vjetorin e rënies së komandantit legjendar Adem Jashari dhe të Familjes Jashari. Komuna e Skenderajt ka vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet e saj si institucion, duke u angazhuar që të gjithë qytetarët pjesëmarrës të jenë komod gjatë gjithë kohës së mbajtjes së aktiviteteve kushtuar kësaj ngjarjeje. Janë shtuar kapacitetet në shërbimin e ndihmës së shpejtë dhe në QKMF, shërbimin e zjarrfikësve dhe Inspektoratit komunal. Në këtë drejtim në bashkëpunim më Policinë e Kosovës, shërbimet emergjente dhe ato të kulturës, është hartuar plani konkret për realizim sa më të mirë. Në takimin e fundit përgatitor Këshilli Organizativ lokal ka shqyrtuar përgatitjet e fundit teknike dhe ato të sigurisë. Gjithashtu më këtë rast, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Skenderajt, ka hartuar një plan të detajuar sa i përket zhvillimit të komunikacionit dhe aspekte të tjera të sigurisë për 7 mars, kur do të mbahet aktiviteti kulmor kulturor dhe artistik, Nata e Zjarreve. Policia e Kosovës dhe Komuna e Skenderajt informojnë qytetarët se është hartuar tashmë plani për lëvizje në trafik, pasi frekuenca e automjeteve në Natën e Zjarreve do të jetë e madhe. Sipas këtij plani lëvizja e automjeteve në qytetin e Skenderajt do të jetë e kufizuar në orët e pasdites dhe me sistemin njëkahorë në shumicën e rrugëve. Luten qytetarët që të respektojnë rregullat dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë të angazhuar për mbarëvajtjen e Manifestimit. Ftohen qytetarët nga të gjitha trevat shqiptare që të marrin pjesë në aktivitetet kushtuar Epope së UÇK-së për të nderuar veprën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari.