Komisioni vendos se si të veprohet me Listat e Papublikuara të Veteranëve

Komisioni për Verifikimin e Listave të Veteranëve të UÇK-së do të mblidhet sot për të vendosur nëse do të vazhdojë publikimin e listave, apo nëse kjo datë do të shtyhet për më vonë.
Një gjë të tillë e konfirmoi për KALLXO.com Avdi Raci, anëtar i këtij komisioni.
“Nuk e besoj që do të ketë shtyrje, tash të gjitha gjërat kanë përfunduar dhe listat janë të gatshme për  publikim”, tha Raci.
Ai tregoi se për listat që janë publikuar deri më tani ka pasur ankesa të shumta.
“Sa kam dëgjuar unë deri me tani rreth 600 ose 700 ankesa kanë ardhur nga tri zonat në të cilat janë publikuar listat,” deklaroi Raci.
Ai tha se pasi të publikohen të gjitha listat, pret që brenda 30 ditësh të bëhen edhe rishqyrtimi i ankesave dhe atëherë listat të jenë përfundimtare.
Listat e veteranëve të të gjitha ish-zonave operative të UÇK-së ishte paraparë të publikoheshin më 20 shkurt, por afati ishte shtyrë deri në fund të këtij muaji.
Deri tash janë publikuar listat e veteranëve për ish-zonat e Karadakut, Llapit dhe Nerodimes./Kallxo.com/