Gjatë vitit që lamë pas Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të përfundojë shumë seanca, disa prej të cilave madje patën nisur në muajin shtator, por që në mungesë kuorumi vazhdimisht ndërpriteshin. Kështu gjatë 2018-s janë miratuar vetëm 75 ligje, nga 177 sa ishin gjithsej në agjendë, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Kuvendi i Kosovës në agjendën legjislative për vitin 2018 kishte paraparë 177 projektligje, duke përfshirë projektligjet e planifikuara nga Qeveria, nismat legjislative nga Kuvendi, si dhe projektligjet e tjera të bartura nga agjenda legjislative e vitit paraprak.

Nga 177 projektligje gjithsej, sipas Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), vetëm 75 prej tyre janë miratuar, 56 janë ende në procedurë të shqyrtimit dhe 46 mbeten në pritje për t’u proceduar nga Qeveria. Sikurse edhe në vitet e kaluara, edhe gjatë vitit 2019 përsëri do të ketë bartje të projektligjeve nga një vit në tjetrin.

Agnesa Haxhiu, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), për “Zërin” ka thënë që mungesa e kuorumit ishte njëra nga sfidat kryesore të punës së Kuvendit përgjatë vitit që lamë pas.