Kjo është porosia e familjes Jashari për festën e flamurit

Sot është një datë e veçantë për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Për nipin e Ademit, Bekim Jasharin kjo festë është edhe me e veçantë.

Loading...

Kjo pasi me 28 nëntor shënohet edhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari. Me këtë rast, familja Jashari presin e përcjellin mysafirë të shumtë të delegacioneve të ndryshme.

 

 

Kryetari i Komunës së Skenderajit, Bekim Jashari për Indeksonline ka thënë se sot do të këtë fluks të madh të qytetarëve për të bërë homazhe në Kompleksin Memorial Adem Jashari.

Ndërsa, ka shtuar se për shkak të angazhimeve për festa të nëntorit, ka pak rast që të qëndrojë me familjen e tij.

“Festa e 28 Nëntorit, duke qenë se, përveç Ditës së Flamurit, është edhe datëlindja e Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sigurisht që ka fluks më të madh të qytetarëve nga mbarë trevat shqiptare, por jo vetëm, që vijnë për të bërë homazhe në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz, por edhe në Kullën e Familjes presim dhe përcjellim mysafirë të shumtë e delegacione të ndryshme. Dhe unë personalisht, tani që udhëheq Komunën e Skenderajt, realisht gjatë këtyre ditëve, shtoja këtu edhe Festivalin Folklorik Gjithëkombëtar Rapsodia Shqiptare, që e organizon Komuna jonë, por edhe për shkak të aktiviteteve tjera në kuadër të festave të nëntorit, kam pas rast të qëndroj shume pak me familjen time. Sigurisht që e ndiej mungesën e familjes, sidomos në data të veçanta kombëtare, mbase për të dal së bashku si gjithë të tjerët, por gjithë këto punë, organizime, aktivitete që po bëhen, me takojnë të jam i pranishëm fizikisht si nikoqir dhe kryetar i Komunës”, ka thënë Jashari.

Jashari në këtë ditë të shqiptarisë, thotë se mesazhi tij është bashkimi dhe unifikimi si shqiptar, pa marrë parasysh shtrirjen gjeografike të shqiptarëve.

“Ne si Familje Jashari, jo vetëm në ditët e shqiptarisë, të 28 Nëntorit, por në çdo ditë tjetër të rëndomtë, kemi përçuar dhe përçojmë mesazhe dhe porosi të bashkimit, të unifikimit si shqiptarë, pa marrë parasysh gjendjen faktike të shtrirjes gjeografike të shqiptarëve, apo vendit ku ata jetojnë. Festa e 28 Nëntorit, ashtu siç kishte bashkuar shqiptarët në gëzimin e tyre të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, do të duhej të sillte me shumë dashuri vëllazërore, më shumë përkushtim ndaj njëri-tjetrit, më shumë bashkim, sepse vetëm në këtë mënyrë, pra duke e dashur njëri-tjetrin, duke e ndihmuar, ne zhvillohemi si komb në çdo drejtim të jetës”, ka theksuar Jashari.

Djali i Ademit ka shtuar se qytetarët sot kanë arsyeje që të festojnë këto ditë, pasi sot shqiptarët janë në pozitë më të mirë se më parë.

“Unë dua të besoj se qytetarët kanë arsye të festojnë këto ditë, në mos për asgjë tjetër duhet të festojnë që si shqiptarë kemi pozitë më të mirë se ç’kishim më parë, por kjo nuk do të thotë se nuk kemi potencial të arrijmë nivele më të larta se që kemi sot. Nëse më lejoni, dua që nëpërmjet medias suaj, t’i dërgoj përshendetje vëllazërore e të ngrohtë secilit shqiptar kudo që ndodhet ai, në Shqipëri, Kosovë, Luginë, Mal të Zi, Maqedoni, Çamëri, kudo tjetër në Ballkan e Evropë, edhe përtej Oqeanit Atlantik, në Amerikë, Kanada, e në çdo vend tjetër të botës. Gëzuar 28 Nëntori – Dita e Flamurit! Qofshin të bekuar shqiptarët”, ka shtuar në fund Jashari.