Rendi kushtetues i Republikës së Kosovës, ndër të tjera, bazohet në ndarje të pushtetit.

Neni 4 i Kushtetutës së Republikën e Kosovës, përcakton formën e qeverisjes dhe ndarjen e pushtetit. Kuvendi si përfaqësues i popullit, sipas paragrafit 2 të nenit 4 të Kushtetutës, është në të njëjtën kohë edhe organi më i lartë, i cili ushtron pushtetin legjislativ.

Sipas paragrafit 3 të nenit 4 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës përfaqëson unitetin e popullit, si dhe është përfaqësues legjitim i vendit brenda dhe jashtë dhe garantues i funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës, si dhe sipas paragrafit 4 të nenit 4 të Kushtetutës, Qeveria e Republikës së Kosovës është përgjegjëse për zbatimin e ligjeve e politikave shtetërore dhe i nënshtrohet kontrollit parlamentar nga ana e Kuvendit.

Në pajtim me parimin e ndarjes së pushteteve, Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka bërë një ndarje të qartë të kompetencave të institucioneve kushtetuese edhe në raport me politikën e jashtme të Republikës së Kosovës.

Kompetencat e Kuvendit: Kuvendi i Republikës së Kosovës mbikëqyr politikën e jashtme.

Kompetencat e Presidentit: Presidenti i Republikës së Kosovës udhëheq politikën e jashtme të vendit;

Kompetencat e Qeverisë: Qeveria propozon dhe zbaton politikën e jashtme të vendit;

Kompetencat e Kryeministrit: Kryeministri këshillohet me Presidentin për zbatimin e politikës së jashtme të vendit.

Siç konfirmohet në mënyrë shumë të qartë edhe në Pikën 89 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, në rastin Nr. KO43/19: “Në lidhje me përfaqësimin e jashtëm të Republikës së Kosovës nga institucionet e saj kushtetuese, Gjykata rithekson detyrimin e institucioneve në fjalë, përkatësisht të Kuvendit, Presidentit dhe Qeverisë, që kompetencat e tyre në politikën e jashtme t’i ushtrojnë brenda mandatit të tyre kushtetues.

Kjo nënkupton, para se gjithash, që çdo negocim apo veprim tjetër që ka të bëjë me lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare në emër të Republikës së Kosovës, duhet të jetë brenda detyrimeve kushtetuese që ka institucioni i Kuvendit, Presidentit dhe Qeverisë për te ushtruar kompetencat e tyre brenda frymës dhe shkronjës së Kushtetutës.

Për të vazhduar më tutje në Pikën 101 të po të njëjtit aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese:

“Sidoqoftë, Gjykata thekson se institucionet kushtetuese i kanë detyrat dhe kompetencat konkrete të përcaktuara me Kushtetutë. Çfarëdo krijimi i ndërvarësisë të përcaktuar me ligj, për miratim të dyanshëm e cenon kompetencën dhe mandatin e institucioneve kushtetuese, ashtu siç është e paraparë me Kushtetutë.”

Pa harruar këtu faktin që, siç edhe rithekson Gjykata Kushtetuese në pikën 69 të Aktgjykimit në rastin Nr. KO43/19 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës: “në kuadër të sistemit juridik kushtetues të gjitha normat tjera iu nënshtrohen epërsisë së normës kushtetuese. Gjykata vlerëson që, kur një materie është e përcaktuar me Kushtetutë, ajo nuk mund të ndryshohet, minohet, apo transformohet përmes një akti me fuqi më të ulët juridik sikurse që është ligji. Bazuar në epërsinë e normës kushtetuese, Gjykata rikujton se të gjitha aktet tjera juridike duhet të jenë në pajtim me të.”

Këto ditë kishte interpretime të shumëllojshme të Kushtetutës, por institucionet kushtetuese kompetente në sferën e politikës së jashtme, përkatësisht Presidenti, Kuvendi, Qeveria dhe Kryeministri, i kanë në mënyrë të qartë të përcaktuara kompetencat e tyre kushtetuese Pra, Presidenti udhëheq politikën e jashtme të vendit, Kuvendi mbikëqyr politikën e jashtme, Qeveria propozon dhe zbaton politikën e jashtme të vendit, Kryeministri këshillohet me Presidentin për zbatimin e politikës së jashtme të vendit.

Në bazën e këtyre kompetencave, të gjitha palët duhet t’i bashkërendojnë veprimet e tyre dhe këto kompetenca kushtetuese nuk mund të shtrihen në trupa tjerë të cilët nuk janë të paraparë me Kushtetutë dhe secili prej institucioneve duhet të kryejë mandatin e tyre kushtetues.