Këshilltari i kryeministrit thotë se prej sot rryma më nuk ndalet

Errold Belegu, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë një premtim, mbrëmjen e së premtes.

Ka të bëjë me rrymën.

Loading...

“Prej sot as rryma mo nuk ndalet!”, ka shkruar shkurt Belegu në profilin e tij në Facebook.

Ky deklarim i tij vjen pas gjendjes së rënduar energjetike në vend, kur është raportuar se në vende të caktuara ka reduktime deri në 6 orë.

Kryeministri Ramush Haradinaj, sot paradite paralajmëroi se si ekzekutiv nuk u intereson problemet që kanë KEK-u e KEDS-i, por tha se duhet të garantohet rryma për qytetarët.

Në një deklarim të tij po në Facebook, Haradinaj tha se është i papranueshëm fakti, që KEDS-i dhe KEK-u nuk janë në gjendje t’i realizojnë detyrat e veta.

“Menaxhmenti i KEDS-it dhe KEK-ut duhet ta dinë se Qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve të saj nuk u intereson se cili njësit është funksional e cili jo dhe as nuk i intereson se cili është çmimi i energjisë në tregun ndërkombëtarë. Drejtues të KEK-ut dhe KEDS-it e kanë për obligim dhe janë të thirrur të sigurojnë energji elektrike për të gjithë qytetarët e Kosovës. Nuk pranojmë asgjë më pak”, ka shkruar ai.

Për reduktimet, KEDS-i arsyetohet me faktin se nuk ka prodhim të mjaftueshëm nga KEK-u dhe shumë pjesë po i mbulojnë nga importi.

Ndërsa drejtori i zyrës për informim në KEK, Skender Bucolli ka thënë se me kohë i njofton operatorët e shpërndarjes për kapacitetin e prodhuar andaj u mbetet atyre të sigurojnë sasinë tjetër nga importi.