Këshilla popullore për një fytyrë të bukur

Shumë djem dhe vajza të moshës së adoleshencës kanë problem me fytyrën, si: puçrra, njolla, kokunjëza, quka  etj. Mosha 15-25 vjeç kanë problem me fytyrën dhe puçrrat që krijojnë si rezultat i ndryshimit hormonal të moshës dhe shpesh dalin në fytyrë puçrra me maja të kuqe, me infeksione e qelb që herë pas here kjo moshë i ngacmon, dhe më vonë dalin edhe probleme të njollave të fytyrës. Kunja të zeza e shumë probleme të tjera që e detyrojnë vetë personin e kësaj moshe të ndërhyjë me mjaft metoda në formë maske, gjë që bën pastrim total të fytyrës, puçrrave, njollave deri në shërimin e tyre. Janë shumë faktorë që ndikojnë në prishjen e pamjes së fytyrës, si njollëza e fytyrës, aknet, kokunjëzat e zeza në fytyrë dhe puçrrat me qelb.

  • Për të mbajtur fytyrë të lëmuar dhe për zbardhjen e lëkurës, mund të përdorni disa metoda. Merrni 150 gramë brumë thekre të porsadalë nga fulla (tul buke), 4 të bardha vezësh të freskëta, ¼ e litrit të uthullës së fortë rrushi. Këto i përzieni bashkë, pastaj të ngjeshur mirë me një lugë druri, kullohen me një napë. Me një pëlhurë të butë, të njomur me këtë lëng fërkoni në darkë fytyrën. Këtë procedurë e vazhdoni 5-6 mbrëmje.
  • Merrni patate të ziera, pasi t’i qëroni, i shtypni, i përzieni me qumësht dhe i ngjeshni derisa të marrë formën e puresë. Me këtë e fërkoni fytytën çdo mbrëmje.
  • Kurse njollat e fytyrës hiqini duke përgatitur këtë metodë: merrni sasi të barabarta lule zambaku, lule shtogu, pasi i shtypni, i përzieni me mjaltë. Me këtë krem fërkojmë pjesët e prekura të fytyrës 2-3 herë në ditë. Kjo shërben edhe për pikat e fytyrës.
  • Për largimin e njollave të murrme të lëkurës merrni: 1 filxhan lëng nga fruti i nërënxës. Shtoni 1 lugë kafe me kripë dhe me këtë lëng lyejmë dhe fërkojmë pjesën e prekur të fytyrës 2 herë në ditë.
  • Kur skuqet fytyra nga dielli merrni lëng limoni, vaj pambuku në sasi të barabarta. Pasi ta përzieni këtë, mjekoni 2-3 herë në ditë pjesët e skuqura të fytyrës.