Kërkohet ndërhyrje urgjente e shtetit në Prekaz

Kryetari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, Muharrem Nitaj, ka kërkuar intervenim të shpejtë të institucioneve për të bërë konservimin e kullave të familjes Jashari në Prekaz, përndryshe shumë shpejtë rrezikohen të shemben.

Loading...

Nitaj pasi i ka vizituar Kullat e Familjes Jashari në Prekaz, bashkë me kolegët e tij në Komision, ka shkruar në rrjetin social Facebook, se ato kulla duhet të mbesin në këmbë për shekuj, e jo për vite.

“Kullat e Kompleksit Memorial në Prekaz, duhet të ruhen e të mbahen në këmbë për shekujt që vijnë, e jo për 20-30 vjet. Në gjendjen në të cilën, bashkë me kolegë deputetë, anëtarë të Komisionit parlamentar për Bujqësi e Planifikim, i pamë sot, ato nuk mund të qëndrojnë gjatë në këmbë”, ka shkruar Nitaj.

Sipas tij, duhet ndërhyrje me urgjencë e shtetit që të bëjë konservimin e tyre.

Prandaj Shteti duhet të ndërhyjë me urgjencë që të bëjë konservimin e kullave! Puna e madhe që është bërë në Kompleksin Adem Jashari, nuk quhet e kryer pa konservimin dhe mbrojtjen objekteve, që janë dëshmi e një kohe dhe e një historie. Prekazi, Gllogjani, Marina, Krusha e dhjetëra vende të lavdisë sonë, janë Meka dhe Jerusalemi shqiptar”, ka shkruar me tutje ai. /FaktePlus/