Kërkohet dorëheqja e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani

Partitë opozitare në vend si Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën në një deklaratë për media kanë vlerësuar se janë bërë tashmë një mori rastesh kur Kryetari aktual i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani është shndërruar në sinonimin e arbitraritetit, cenimit serioz të rregullave, të frymës së kushtetutës e mbrojtjes së saj.
Këto raste ku sipas këtyre partive Kryetari Enver Hasani është përfshirë kanë shënuar dështim të Gjykatës Kushtetuese, shkelje flagrante të legjislacionit dhe dyshim për shkaktim të veprës penale.
“Gjyqtari Enver Hasani pas këtyre ngjarjeve që kanë mbërthyer Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nuk gëzon më besimin se mund të kryejë me përgjegjshmëri këtë detyrë tepër të rëndësishme. Rastet lidhur me personin e tij duhet të procedohen sa më parë nga organet e drejtësisë.”
“Kushtetuta e Republikës sonë e ka pajisur Gjykatën Kushtetuese me një virtyt të brendshëm ku vetë 2/3 e gjyqtarëve ta vërejnë dhe të kujdesen vetvetishëm për rastet e shkeljeve të rënda brenda tyre dhe t’i propozojnë shkarkime Presidentes. Ky virtyt praktikisht dhe formalisht nuk është i aplikueshëm në Gjykatë” theksojn me tujte VV, AAK dhe Nisma.
Në këto kushte Vetëvendosje, AAK dhe Nisma kanë kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Kryetarit aktual të Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarit Enver Hasani.
Rastet e shkeljes së detyrave nga Kryetari Enver Hasani:
– Dyshimet e bazuara për falsifikim të Aktvendimit lidhur me kërkesën e Avokatit të Popullit
Kjo e inkriminon drejtpërdrejt Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese meqë ai është përgjegjës për mbarëvajtjen e të gjitha procedurave veçanërisht të këshillimit dhe votimit. Në rastin konkret bëhet fjalë për nënshkrimin e Aktvendimit të nxjerrë nga Kryetari Enver Hasani. Ky akt përbën objekt të veprës penale.
Përveç shkeljeve të natyrës etiko-administrative ekziston dyshimi i bazuar se mund të jenë kryer këto vepra penale: “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” (Neni 434), “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” (Neni 422), “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” (Neni 403), “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve” (Neni 399, par. 1.3) “Nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore” (Neni 432) të parashikuara në Kodin Penal.
– Korrespondenca e Kryetarit Enver Hasani me strukturat e Komisionit Evropian në Kosovë
Për vazhdimin e mandatit të tre gjyqtarëve ndërkombëtarë Kryetari ka bërë një nga shkeljet më të rënda në Gjykatën Kushtetuese. Gjatë punës së tyre të gjithë gjyqtarët veçanërisht drejtuesi i Gjykatës duhet ta mbrojnë konfidencialitetin lidhur me vendimet e tyre si dhe mos t’i nënshtrohen asnjë ndikimi nga jashtë e aq më pak të japin referenca lidhur me këtë.
– Rasti lidhur me Aktvendimin për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit në Republikën e Kosovës
Në kërkesën e parashtruar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës është paraqitur haptazi anshmëria politike e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në procesin për marrjen e vendimit dhe në Aktvendimin. Interpretimi i paraqitur në Aktvendim ka shmangur logjikën juridike duke i interpretuar dispozitat që nuk kanë të bëjnë aspak me çështjen ku si pasojë “subjekti politik” është njehsuar si kategori kushtetuese.
Në interpretimin për veprimin parlamentar trupa e gjyqtarëve së bashku me Kryetarin Hasani ka kufizuar lirinë parlamentare posaçërisht për lirinë e asociimit në organizimet e brendshme të deputetëve.
Po ashtu teksa vetë çështja e “formimit të grupit parlamentar” ishte në shqyrtim Gjykata i është referuar 6+ si grup parlamentar në kundërshtim me vendimin që po përshkruante në të njëjtin Aktvendim. (Pika 60  e Aktvendimit)
Përgjegjësia e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani është moszbatimi i kompetencave të tij për të siguruar që procesi të jetë i shkarkuar nga çfarëdo ndikim politik. Në këtë rast është shkelur “Rregulli 12” i Rregullores së Punës, “Parimi i paanshmërisë dhe pavarësisë sipas Kodit të Mirësjelljes” si dhe është deformuar fryma e kushtetutës në kapituj që lidhen me Kuvendin e Republikës së Kosovës.
– Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese – Kërkesa e Anëtarit të KQZ-së, Adnan Rrustemit
Në këtë kërkesë ishte kontestuar si antikushtetuese futja në Listën zgjedhore e 6,684 personave të cilët nuk e kishin të vërtetuar shtetësinë e Republikës së Kosovës. Këtë rast Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë si të pabazuar dhe për asnjë nga pretendimet e parashtruesit të kërkesës nuk dha përgjigje. Në këtë rast Kryetari Enver Hasani ka lejuar shmangien e trajtimit të kërkesës së parashtruesit.
– Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese për kërkesën e grupit parlamentar të VETËVENDOSJE!-s
Gjykata Kushtetuese e shpalli veten si inkompente në aspektin lëndor të trajtimit të çështjes për Ligjin e ratifikimit të Marrëveshjes së 19 prillit 2013.
Grupi parlamentar i VETËVENDOSJE!-s parashtroi kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë të ligjit të miratuar në Kuvendin e Kosovës. Ka qenë detyrë e Gjykatës që të vendosë për këtë kërkesë.
Ky rast përbën anashkalim të zbatimit të kompetencave të Gjykatës Kushtetuese sa i përket vendosjes lidhur me autorizimin e parashikuar në Nenin 113, paragrafi 5 të Kushtetutës..
Sipas Rregullës 12, pikës “g”, të Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese, Kryetari është i obliguar që të sigurojë zbatimin e “Kodit të Mirësjelljes” nga ana e gjyqtarëve të tjerë. Edhe në rastet kur ai vetë nuk i ka shkelur parimet e Kodit ai mbart përgjegjësinë si Kryetar që të sigurojë respektimin e këtij Kodi nga secili anëtarë dhe të marrë masa nëse kjo nuk ndodh. Në rastin konkret vetë Gjykata Kushtetuese ka shkelur parimet e paanshmërisë, kompetencës dhe kujdesit. Aktgjykimi për këtë rast është formulim juridiko-kushtetues por qëndrim politik i trupës së gjyqtarëve.