Keqpërdorimi i listave të veteranëve përmendet edhe te varrezat e Jasharajve

Edhe te varrezat e Jasharajve flitet për keqpërdorim me listat e veteranëve të luftës.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve, Xhevdet Qeriqi tha se numri i veteranëve të vërtetë të luftës së UÇK-së nuk mund të jetë më shumë se 17 mijë. Sipas tij, me fryrje të listave po dëmtohet në vazhdimësi imazhi i luftës së UÇK-së dhe institucionet fare pak po merren me këtë çështje.

Loading...

Qeriqi tha se nuk pajtohen në asnjë formë me listat aktuale të veteranëve, dhe se në vazhdimësi reagojnë për këtë.

Por sipas tij, institucionet nuk po punojnë shumë në zbardhjen e kësaj çështje.

“Pra numri i veteranëve të vërtetë maksimumi mund të jetë 15 mijë deri në 17 mijë. Ne jemi të pakënaqur, kemi reaguar, por u mbetët institucioneve të Republikës së Kosovës që të ndërhynë në këtë proces dhe ta zgjedhin këtë problem….. Deri më tani pak janë duke u marrur por shpresojmë që në të ardhmen do të merren sepse kemi dëmtim të imazhit të luftëtarëve të vërtetë dhe po dëmtohet buxheti i Republikës së Kosovës” tha ai.

Ai tha se kjo çështje ka ndikuar shumë në dëmtimin e imazhit të Kosovës, por, sipas tij, ende ka shpresë se listat do të pastrohen.

Qeriqi foli pas homazheve që i bëri në Prekaz sot bashkë me familjen e tij.

“Kemi ardh t’i nderojmë dëshmorët dhe komandantin legjendar Adem Jashari, për sakrificën dhe flijimin që e kanë bërë për lirinë të cilën po e gëzojmë sot”, tha ai.

Prekazin po vizitojnë sot njerëz nga të gjitha trojet shqiptare, ku po përkulën para varrezave të familjes Jashari, në ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari.