Ka shënuar 21 gola në edicionin e sivjetmë të Superligës së Kosovës në futboll, duke i ndihmuar Feronikelit të mbajë kreun e tabelës pas javës së 31-të të ligës më cilësore të futbollit në vend.

Kastriot Rexha është kandidati kryesor dhe mbase i vetëm që në këtë edicion do të fitojë epitetin e golashënuesit më të mirë e me këtë edhe trofeun “Këpuca e Artë”.

Katër përcjellësit më të afërm të tij që kanë shënuar gola dyshifrorë janë Ahmed Januzi (12), Festim Alidema (11), Meriton Korenica (11) dhe Alban Shillova (10), shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Ky i fundit madje për një kohë të gjatë ishte realizuesi i parë, por me kalimin e kohës sulmuesi i Flamurtarit mbeti prapa Rexhës, i cili në këtë edicion është në formë fantastike, duke qenë edhe “tmerri” i të gjithë portierëve të Superligës.

Përveç 21 golave të shënuar në këtë edicion, Rexha ka hyrë në historinë e futbollit kosovar, duke u bërë futbollisti i vetëm që në një ndeshje ka shënuar het-trik, ku të tre golat janë realizuar nga pika e bardhë.

Për të arritur kuotën e 21 golave në këtë edicion Rexha falënderon edhe bashkëlojtarët e tij, duke thënë se ata i kanë ndihmuar shumë në këtë drejtim, ndërkohë që thotë se i është përshtatur shumë mirë loja e Feronikelit.

Në fund Rexha tha se nuk di se me sa gola do ta përfundojë këtë edicion, por që do të përpiqet ta japë maksimumin, në mënyrë që skuadra e tij të shpallet kampione.

“Kam synim që të shënoj edhe gola të tjerë në ndeshjet e mbetura, në mënyrë që skuadra të arrijë objektivat e saj, që të fitojë titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës”, tha për “Zërin” Kastriot Rexha, sulmues i Feronikelit të Drenasit, skuadër kjo që e kryeson renditjen e Superligës me 74 pikë, dy më shumë se Prishtina, që është e dyta.

Të mërkurën Feronikeli do të jetë mysafir i Llapit në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ndeshje kjo e cila fillon në orën 16.00.