Kastrati: Ushtrinë e bën misioni, jo emri

Ish-gjenerali i FSK’së, Kadri Kastrati, është shprehur i kënaqur me miratimin e tre projektligjeve për transformimin e FSK’së si dhe u shpreh optimist për kalimin e tyre në leximin e dytë.

Loading...

Ai tha se përmes këtyre ligjeve FSK’ja do të shndërrohet në forcë ushtarake me kapacitete të mjaftueshme për ta kryer misionin për mandatin që do t’i jepet.

“Misioni që do ta këtë kjo forcë është mbrojtja e integritetit dhe sovranitetit të vendit, mbështetja e autoriteteve qendrore dhe lokale – këtu nënkuptohet ruajtja e jetës dhe pronës së qytetarëve të Kosovës – dhe pjesëmarrja në operacione ushtarake në kuadër të NATO’s dhe OKB’së. Këto detyra e bëjnë FSK’në me mandat dhe bazuar në këto detyra kjo forcë do të pajiset edhe me pajisje dhe armatim për të realizuar këtë mision”, tha ai në Zona B në Klan Kosova.

Sa i përket emërtimit të ushtrisë, Kastrati tha se ka plot ushtri nëpër botë që nuk quhen ‘ushtri’ por ‘forca’.

“Unë mendoj se emri nuk e bën ushtrinë. Ushtri e bën misioni, e bëjnë pajisjet dhe armatimet dhe të gjitha mjetet e nevojshme që e përmbushin misionin”.

Ish gjenerali i FSK’së gjithashtu ka folur edhe për mundësie e rishqyrtimit të mandatit të NATO’s në Kosovë.

“Keni parë deklaratat e sekretarit të NATO’s, ku këshilli më i lartë i NATO’s, Keshilli Veriatlantik, do të ulet dhe do ta rishikojë mandatin e vet”.

“Ne nuk do ta kemi ushtrinë të nesërmen. Kosovës i duhen minimum shtatë vjet që të përfundojë kapacitetet e veta operacionale. Duke i ngritur kapacitetet operacionale ashtu edhe NATO do të largohet nga Kosova”.