A.Braha dhe L.Drenovci të moshës 19 vjeçare, janë arrestuar sot nga Policia e Kosovës si të dyshuar për grabitjen e armatosur të ndodhur në pasditen e 3 janarit në rrugën “Mustafa Venhari” në Prishtinë. Atyre me rekomandim të prokurorit u është caktuar masa e arrestit prej 48 orësh.

Dy të arrestuarit me forcë dhe të maskuar kishin grabitur arkën e një dyqani.

Përgjatë bastisjeve policia ka sekuestruar edhe gjësende të ndryshme të cilat mund ti shërbejnë ndriçimit të plotë të këtij rasti apo ndërlidhjes së këtyre personave me rastet e tjera, ndërkohë që të njëjtat mund të shërbejnë edhe si  dëshmi në procedurë.

 “Më datën 03.01.2019 rreth orës 17:30 në rrugën “Mustafa Venhari” në Prishtinë, në një nga dyqanet e kësaj rruge ka ndodhur një grabitje e armatosur. Nga informacionet e përpunuara dyshohet që kjo grabitje të jetë kryer nga katër persona të maskuar dhe të armatosur të cilët me forcë kanë arritur të marrin arkën e këtij dyqani. Menjëherë pas marrjes së informacionit të parë, policia e rajonit të Prishtinës ka ndërmarrë  të gjitha veprimet operative, ato të kërkimit si dhe të hetimit, me qëllim të lokalizimit dhe kapjes së personave të dyshuar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Njëri nga të arrestuarit është shtetas i Shqipërisë.

“Reagimi i shpejtë i policisë si dhe masat e koordinuara operative, kanë rezultuar me kapjen në ikje e sipër të të dyshuarit; A. Braha, mashkull, 19 vjeç, shtetas i Republikës së Shqipërisë, që dyshohet me bazë të jetë i përfshirë në rast, gjetjen e një qante krahu brenda së cilës janë gjetur maskat, dorezat, një armë, dy thika, si dhe në një perimetër më të gjerë është gjetur arka e cila është grabitur nga dyqani në fjalë.Ndërkohë që është zgjeruar horizonti i hetimit policia ka kryer edhe katër operacione të bastisjes në lokacione të ndryshme, me ç’ rast pas identifikimit ka arrestuar edhe të dyshuarin e dytë: L. Drenovci, mashkull, 19 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, që dyshohet me bazë të jetë i përfshirë në këtë rast”, vazhdon komuniakta.

Drejtoria rajonale e policisë – Prishtinë ka në fokusin e përditshëm të punës së saj luftën kundër krimit , kapjen dhe arrestimin e të dyshuarve të akteve kriminale si dhe garantimin e rendit, sigurisë dhe qetësisë publike , andaj ftojmë të gjithë qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me rastet kriminale të mbështesin policinë me informacionet e tyre për hetimin dhe zbulimin e akteve të tilla