Kadri Veseli: Do t’i shkojmë në fund luftimit të korrupsionit

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli ka kërkuar sot nga institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe për zbatimin e plotë të Ligjit të ri për Parandalimin e Konfliktit të Interesit gjatë ushtrimit të funksionit publik.

Loading...

Pas takimit që ka pasur me Ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri, Ministrin e Financave, Bedri Hamza dhe Drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, i ka ftuar ata që të bashkërendojnë aktivitetet në mënyrë që dispozitat e reja të Ligjit që ka hyrë në fuqi së fundmi, të zbatohen në përpikëri, veçmas ato që ndërlidhen me mbajtjen e pozitave të shumëfishta.

“Gjithë ajo të cilën jemi duke e bërë është që shteti dhe ligji të jenë mbi të gjithë ne. Edhe kjo iniciativë për parandalimin e konfliktit është në këtë funksion. Ne, institucionet e Kosovës jemi duke bërë maksimumin e përpjekjeve tona që të minimizohet keqpërdorimi i pozitës së zyrtarit publik. Nuk do të lejojmë askë të abuzojë dhe nëse kjo ndodhë, do të jenë para ligjit dhe do të shkojë deri në konfiskimin e pasurisë”, theksoi Veseli, duke ftuar qytetarët që të besojnë në institucionet e Kosovës dhe të jenë më të zëshëm në luftimin e këtyre dukurive.

Veseli ka theksuar se pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, kjo praktikë do të marrë fund. Ai ka thënë se askush nuk mund të jetë mbi ligjin.

“Si një vend që synon zhvillimin demokratik, si një vend që synon integrimin në Bashkimin Evropian, si një vend që synon të ketë institucione publike me integritet, kësaj praktike duhet t’i themi stop. Është koha që institucioneve tona t’ia kthejmë dinjitetin e plotë dhe t’i sigurojmë qytetarët tanë se çdo zyrtar publik të cilit i është besuar të menaxhojë me autorizime publike, do të sillet konform rregullave më të larta të etikës dhe integritetit”, ka thënë Kryetari Veseli.

Ndërsa, ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri ka theksuar rëndësinë e ligjit të ri dhe ka shpjeguar dispozitat e reja që kanë hyrë në fuqi duke mundësuar një perspektivë të re që ndalon abuzimet me buxhetin e taksapaguesve të Republikës së Kosovës.

“E kam për detyrë t’i njoftoj qytetarët e Republikës së Kosovës se përmes këtij ligji do të marrë fund një praktikë e vjetër e abuzimit me detyrën dhe autoritetin publik, ajo e pozitave të shumëfishta dhe e përfitimit të shumëfishtë nga ushtrimi i detyrave nëpër komisione, borde dhe ndërmarrje publike. Përmes këtij ligji, buxhetit të Republikës së Kosovës do t’i kursejmë miliona euro që deri më tani kanë shkuar në adresë të zyrtarëve që kompensoheshin për pjesëmarrjen në borde dhe komisione të ndryshme”, ka thënë Ministri Tahiri.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ndërkaq, ka thënë se ministria që ai drejton do të ndihmojë me të gjitha resurset financiare zbatimin e këtij ligji në praktikë.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, nga ana e tij, tha se ligjet e reja anti korrupsion do te intensifikohet dhe thellohet më tej lufta kundër korrupsionit. ​