Kryeparlamentari dhe kryetari i PDK’së, Kadri Veseli, ka vizituar vendin ku do të ndërtohet Memoriali i të dëbuarve.

Ai me këtë rast është pyetur nga mediat se si e komenton deklaratën e kreut të LDK’së, Isa Mustafa, i cili ka deklaruar se ‘Kosova nuk mund ta themelojë Tribunalin për krimet e Serbisë në Kosovë”.

Ai ka thënë se kjo nismë u duket e vonë ‘vetëm atyre që gjithë jetën janë në gjumë dhe tuten prej hijes së tyre’ (sic u shpreh ai).

“Sa për politikën, më vjen rëndë edhe ta diskutoj, kjo nuk është garë politike, këtu nuk fitoj poena, mundem me fitu veç kërcënime po bash nuk mërzitem. Tribunali Ndërkombëtar do të ndodh dhe do të memorizohet krimi që ka ndodhur mbi shqiptarët. Nëse flasim për jetë njerëzish, për kriminelët që kanë dhunuar dhe kanë vrarë, duhet të ketë drejtësi nga bashkësia ndërkombëtare. Nuk ka mundësi të heshtet e as të mbulohet një krim kaq masiv që ka ndodhur mbi qytetarët tonë. Kjo është arsyeja që prej nesër, do të mundohemi të fillojmë punën në mënyrë sa më profesionale me Komisionin shtetëror. Nuk është vonë për këtë iniciative, vonë janë veç ata që gjithë jetën kanë qenë fjetë edhe tuten prej hijes të vet”, tha Veseli.