Shefi i stafit në Departamentin e Mbrojtjes së SHBA-së, Kevin Sweeney, ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij vetëm një muaj pas largimit të sekretarit të mbrojtjes, James Mattis. Ai ka thënë përmes një deklarate se tash është koha e duhur që t’i kthehet sektorit privat.

Ai është zyrtari i tretë me radhë i Pentagonit që ka dhënë dorëheqje prej kohës kur presidenti Donald Trump njoftoi për vendimin e tërheqjes së trupave ushtarake nga Siria. Zyrtarët kanë thënë se nuk ka data të caktuara pët tërheqjen e plotë të ushtarëve nga ky vend i Lindjes së Mesme.

Kevin Sweeney ishte emëruar në këtë detyrë në janar të vitit 2017. Përmes një letre të shkurtër të dorëheqjes, ai ka thënë se për të ka qenë nder që ka shërbyer përkrah kolegëve të departamentit, por nuk e ka përmendur Trumpin. Dorëheqja e tij erdhi pak ditë pas dorëheqjes së hershme të sekretarit Mattis, i cili fillimisht kishte thënë se do ta mbante detyrën deri në shkurt të këtij viti.

Analistët thonë se largimi i tij shton paqartësitë për administratën e Donald Trumpit dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Nga pozita publike më herët kishte dhënë dorëheqje edhe zëdhënësja e Departamentit të Mbrojtjes, Dana White, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.