“Ja pse Haradinaj shkarkoi zëvendësministrin Cena dhe jo ministrat me aktakuzë“

Besnik Tahiri, Koordinator Nacional për Reformën Shtetërore dhe këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, ka thënë se zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Musa Cena, është shkarkuar për shkak se ai dyshohet për veprën e marrjes së ryshfetit teksa ishte në këtë post politik.

Loading...

Ai ka thënë se ka dallim mes rastit të Cenës dhe pesë ministrave të kësaj qeverie, ndaj të cilëve po ashtu ka aktakuza. Sipas Tahirit, ministrat nuk janë shkarkuar sepse ata nuk akuzohen për vepra të kryera gjatë periudhës kur janë në këto pozita.

Haradinaj ka në kabinet 5 ministra me aktakuza, por e shkarkoi zv.ministrin që ende është i dyshuar.

“Është një reagim i kryeministrit karshi një situate të caktuar. Zoti Cena është shkarkuar nga kryeministri për shkak se gjendet në paraburgim. Zoti Haradinaj ka treguar për një situatë të tillë dhe ka vepruar. Nuk janë raste të ndërlidhura sepse kur flasim për ministrat e caktuar, ata akuzohen për veprat që s’kanë ndodhur në këtë qeveri. Nuk amnistohen absolutisht. Secili njeri që ka bërë vepër penale dhe aktgjykohet, normalisht shkarkohet. Ku dallon? Cena akuzohet për veprat në detyrën ku është, ndërsa te ministrat s’ka epilog dhe janë të mëhershme rastet”, ka thënë Tahiri në Interaktiv.

Ai nuk ka pranuar të flasë për rastin e ministrave Dardan Gashi dhe Endrit Shala duke thënë se “ata janë deklaruar vetë”.

Tahiri ka thënë se politika në vend duhet të japë një përgjigje përfundimtare lidhur me mundësinë e funksionimit të një personi në një pozitë publike edhe pse ndaj tij është ngritur aktakuzë.

“Po dua të bëj një digresion pasi kam përcjellë shumë aktakuza ndaj kryetarëve të komunave. Ka pas raste kur ka pas procese gjyqësore kur paradite ishte në gjykatë e pasdite në fushatë. Po të isha personalisht do të dorëhiqesha. Ish-kryetari i Kamenicës për shembull doli i pafajshëm dhe i fitoi zgjedhjet. Po të ish larguar nga gara do të mund të fitonte në gjyq, por do t’i privohej e drejta nga të qenit kryetar”, ka thënë ai duke shtuar se “një person është i fajshëm vetëm kur të konfirmohet fajësia në instancën e fundit”.

“Një dilemë e kam se në një sistem të tillë siç e kemi sot, aktakuza shpeshherë mund të ketë ndikim anësor. Sa është kredibile aktakuza dhe a ka ndikim politik në aktakuzë. Kjo edhe personalisht më pengon të kem qëndrim të qartë. Nuk guxojmë t’ia lëmë më këtë vullnetit të njeriut. Duhet të marrë fund me ligj njëherë e përgjithmonë e të mos malltretohet më një kryetar partie a kryeministër, apo edhe familja e të akuzuarit. Jam që ta sanksionojmë me ligj”, është shprehur Tahiri.

Tahiri nuk ka dhënë datë as për liberalizim të vizave, ndërsa për dialogun me Serbinë ka thënë se çdo vonesë në Kuvend lidhur me një ekip të përbashkët, i bën dëm vetëm Kosovës.

Tahiri është shprehur optimist se Kosova do të pranohet në Interpol këtë vit. Ka thënë se kjo i bën mirë Kosovës, madje edhe Serbisë.

Ai ka arsyetuar edhe humbjen e 20 mijë dollarëve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në SHBA. Ka thënë se Kosova “ka shpëtuar, dhe nuk ka humbur”.