Ja çfarë thotë Fatmir Limaj për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz

Zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj, ka njoftuar të martën kabinetin qeveritar për situatën e rëndë të Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, nga mungesa e investimeve për konservimin e objekteve të kullave të Jasharëve.

Ai ka thënë se kjo çështje është nevojë urgjente dhe se nuk ka prioritet më të madh për Qeverinë se sa Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

“Është nevojë urgjente konservimi i Kompleksit Memorial në Prekaz. Qeveria e Kosovës duhet ta japë kontributin e saj. Ideja jonë është që në konservim të marrë pjesë Qeveria e Kosovës dhe të shpëtohet ky memorial. Besoj se shumë shpejt duhet të vijmë me një ide konkrete. Duhet ta kemi një qasje tjetër për realizimin e këtyre detyrave. Deri në mbledhjen e ardhshme do të analizohet situata e krijuar dhe do t’i rekomandohen Qeverisë hapat që duhet të ndërmerren në mbrojtjen e këtij kompleksi që shënon një vlerë sublime të luftës çlirimtare”, është shprehur Limaj.

Ndërsa ministri Bedri Hamza ka thënë se Ministria e Financave do të ndajë buxhet të nevojshëm për kompleksin në Prekaz.

“Kam shpreh zotimin që sa i përket pjesës financiare për t’u kryer të gjitha investimet e nevojshme. Është një fond në kuadër të buxhetit të vitit aktual, por pavarësisht sa është kostoja, Qeveria e Kosovës mund ta përcjellë dhe të investojë në mbajtjen e këtij kompleksi. Sa i përket pjesës financiare ne e mbështesim fuqishëm këtë aktivitet”, ka deklaruar Hamza.

Qeveria ka miratuar edhe propozimin për formimin e këshillit organizues për manifestimin gjithëpopullor, rreth shënimit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me këtë rast janë ndarë 100 mijë euro nga kategoria ekonomike e rezervave.ER

Lexo tjetër  E veçanta e kësaj maturante nga Klina (FOTO)