Policia e Lezhës ka arrestuar përkohësisht me qëllim ekstradimi  drejt Italisë 48 vjeçarin Astrit Nimani, banues në Lezhë.

48 vjeçari i arrestuar, ishte shpallur në kërkim nga autoritetet  Italine pasi, Gjykata e Milanos  e kishte  dënuar me 13 vite burg, për kryerjen e veprës penale “Organizatë kriminale me qëllim trafik të narkotikëve”.

Astrit Nimani, njohur me pseudonimin Titi i Ukës është një emër shumë i njohur edhe për drejtësinë shqiptare.Të gjtiha pasuritë e tij të ngritura kryesisht në Shëngjin, dyshohet të kenë ardhur nga veprimtaria kriminale. Për këtë arsye, në vitin 2015, me vendim të Gjykatës së Lezhës, atij i ishin sekuestruar 230 apartamente banimi në tre pallate në Shëngjin në vlerën rreth 10 milionë euro. Nimani është administrator dhe administrator dhe ortak me 40% i kompleksit turistik “Marina San Giovani Ermiri Palace”, në Shëngjin dhe i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, në qershor të vitit 2013.

Por angazhimi i tij ka qenë edhe politik.Në vitin 2013, Astrit Nimani ishte anëtar i Këshillit Bashkiak në Bashkinë e Lezhës, nën siglën e Partisë Ora e Shqipërisë, e cila ishte në koalicion me Partinë Demokratike. Ai ishte edhe anëtar i Komisionit të Urbanistikës dhe Programeve të Zhvillimit, nënkryetar i Komisionit të Arsimit Kulturës dhe sporteve dhe anëtar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financës në këtë këshill bashkiak.

Astrit  Nimani ka qenë disa herë i dënuar në Itali për trafik të drogës nga Shqipëria drejt shtetit fqinj. Edhe në vitin 2013, ai është arrestuar nga në nëntor 2013, në pikën e kalimit kufitar të Merdarës, në kufirin me Kosovën. Nimani arriti të largohej nga territori i Shqipërisë vetëm pak orë para se të shpallej në kërkim nga policia, ku mundi që të kalonte i qetë doganën në Morinë. Ai është ekstraduar në Itali më 20 dhjetor 2013.  Më 26 nëntor 2009 Gjykata e Apelit të Milanos, Itali, e kishte dënuar me 7 vjet heqje lirie për kryerjen e veprës penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”.

Njoftimi i Plotë i Policisë:

Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Arrestohet një shtetas shqiptar me qëllim ekstradimi drejt Italisë.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, pas informacioneve të marra dhe një pune të mirë organizuar në bashkëpunim dhe me Interpol Tirana,  arrestuan përkohësisht me qëllim ekstradimi drejt Italisë shtetasin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar:

  • A.N.48 vjeç, banues në Lezhë

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata në Milano/ Itali e ka dënuar këtë shtetas  me 13 vite burg, për kryerjen e veprës penale “Organizatë kriminale me qëllim trafik të narkotikëve”, parashikuar nga  nenet 81 dhe 110 të Kodit Penal Italian.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë për veprime të mëtejshme.