Ish-kryetari i degës së LDK-së në Gjermani, Hafiz Gagica, ka thënë se në zgjedhjet e para lokale Rugova kishte vendosur të vizitojë varrin e Adem Jasharit, por në momentin e fundit dikush e kishte bindur të mos shkonte atje.

Gagica, në “Debat Plus” në RTV Dukagjini ka thënë se dikush nga njerëzit e afërt të LDK-së e kishte bindur Rugovën të anulonte vizitën në Prekaz te familja e Adem Jasharit.“Kishim një marrëveshje për të vizituar Prekazin dhe ishte një mirëpritje nga Rifat Jashari sepse ishte kryefamiljari. Të nesërmen po bëheshim gati të shkonim në Prekaz dhe mua më thanë se duhej të shkoja më shpejt te Rifati sepse vizita në Prekaz ishte shtyrë. Në bisedë me presidentin Rugova, arsyet që mi tregonte ishin të pamjaftueshme që vizita duhej shtyrë dhe ai s’duhej të shkonte në Prekaz”.

“…Dikush e kishte bindur Rugovën të mos shkonte në Prekaz. Nuk e di kush është ky “dikushi”. Ky fakt mua më jep mjaft informacion që edhe në të kaluarën Rugova në rrugë të ndryshme mund të jetë informuar [gabimisht]”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ish-kryetari i degës së LDK-së në Gjermani, thotë se degët e partisë në diasporë kanë qenë gjithmonë në mbështetje të luftës së armatosur.“Kam qenë kundër zërave që kishin dyshime për UÇK-në. Kemi konferencën e degëve të LDK-së ku ishte prezentë edhe Sali Çeku që kishte ardhur nga fronti, ku ishim pro angazhimit maksimal për pjesëmarrje në luftë me dhjetëra ushtarë tjerë. Nuk kishte ndonjë sekret se lufta i takonte dikujt tjetër”, tha ndër të tjera Hafiz Gagica.