Ish-gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza është i dënuar për vjedhje në një supermarket në Itali. Ky fakt konfirmohet nga letërporosia e mbërritur nga shteti italian, raporton gazetari i Report Tv, Arsen Rusta.

Dënimi i Thanzës u zbulua gjatë procesit të Vettingut, nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.  Ish-gjyqtari Thanza u shkarkua nga Vettingu më 17 korrik 2018 në të njëjtën ditë me kolegun e tij në Gjykatën e Lartë, Tom Ndreca. Prokuroria tashmë pritet që të vendosë për të bërë dërgimin e çështjes në Gjykatë me akuzën e falsifikimit të Formularit të Dekriminalizimit. Në formularin e dekriminalizimit që kishte dorëzuar në KPK, Thanza nuk kishte deklaruar dënimin.

Thanza doli para KPK ku rezultoi me një mori me probleme. Atij iu zbulua një dënim në Itali për vjedhje në supermarket. Përpara KPK-së ai deklaroi se aktin e kishte kryer kunata e tij, por ai e mori përsipër për nipin e sëmurë që po kurohej nga një sëmundje e rëndë në Itali.