Infermieri nga Vushtrria i ndjekur nga katër persona, ia rrahën djalin, nënën e motrën

Bardhyl Shabani dhe familja e tij nga qyteti i Vushtrrisë nuk po munden të jetojnë lirshëm në këtë qytet.

Loading...

Në një prononcim për “Indeksonline”, personi që po ndihet i kërcënuar ka rrëfyer tërë ngjarjen se si ka rrjedhur dhe se si është situata aktualisht. Bardhyli thotë se po kërcënohet vazhdimisht nga disa persona të rrezikshëm që veprojnë në qytetin e Vushtrrisë.

 

 

Bardhyli jeton në rrugën “Lidhja e Lezhës” në Vushtrri dhe punon si infermier në QFMF të po këtij qyteti, ku edhe përballet me raste kur persona të ndryshëm sulmohen nga grupe kriminale.

Si pasojë e profesionit të tij, cak i sulmit është bërë edhe vet ai dhe familja e tij.

Në prononcimin e Shabanit për “Indeksonline” thuhet se personat të cilët po e sulmojnë janë Mehmet Shkreli, Bunjamin Shkreli, Burim Shkreli e Hetem Terllabuqi.

Ai ka rrëfyer se i gjithë konflikti ka filluar kur vet ai ka mjekuar disa nga personat që janë sulmuar nga emrat e cekur më lartë.

“Personat që i përmena, janë persona të rrezikshëm të cilët vazhdimisht bëjnë problem me njerëz, rrahen apo plagosen edhe kur shkojmë na me i marr si institucion shëndetësor njerëzit e dërmuar, atëherë këta vinë dhe na kërcënojnë në vendin e punës. Ata marrin informacion se cilët punëtor kanë punu qat ndërrim të ditës ose të natës dhe vinë e na i terrorizojnë familjet, në rrugë nuk na lajnë të qetë dhe marrin informacion ku banojmë dhe na i sulmojnë familjet”, ka theksuar Shabani.

Sipas tij, cak i sulmit përveç atij, ka qenë edhe nëna e tij Selvije Shabani, motra me nevoja të veçanta, bashkëshortja Laura Shabani madje edhe djali i tij, Loriku vetëm 5 vjeç.

“Rasti më i rëndë ka qenë kur ma kanë sulmu edhe fëmijën në praninë e bashkëshortes time edhe nuk janë marrë masa. Fëmija më ka pësu lëndime trupore, kam pësu lëndime trupore edhe vet, rasti i fundit ka qenë 20 gusht 2018 kur në ora 8:00 në mëngjes më kanë kërcnu dhe nuk më kanë lan me shku në punë. I kam njoftu edhe policinë por të njëjtit vazhdimisht veprojnë lirshëm, nuk e di se kujt me ju drejtu”, është shprehur viktima.

E rasti është paraqitur jo vetëm në polici por edhe në institucionet si Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe Inspektorati Policor i Republikës së Kosovës.

Por sipas tij, asnjëri nga këto institucione nuk kanë marrë asnjë lloj mase dhe ata po lëvizin të lirshëm.

“I kam njoftu edhe policinë por të njëjtit vazhdimisht veprojnë lirshëm, nuk e di se kujt me ju drejtu. Domethënë, familja jem është në rrezik prej këtyre personave, pra vazhdimisht ata na vëzhgojnë kur shkojmë në punë kur kthehemi dhe vinë para derës këqyrin çka po bojmë, tek po bojmë domethënë jemi në vëzhgim të tyre” ka thënë Shabani.

Sipas informacioneve që ka viktima, Bardhyl Shabani këta persona kanë disa lokale në tregun e Vushtrrisë, madje kanë edhe shumë dosje të hapura për raste kriminale. “…policia apo kushdo që i merr këto raste, a dërgohen në prokurori a gjykatë nuk po merr masa. Pra, po dyshoj që këta persona kanë njerëz të afërt në polici a prokurori pasi që nuk po merren masa kundrejt tyre. Janë njerëz shumë të rrezikshëm, shumë” ka përfunduar Shabani.

Ndryshe, “Indeksonline” ka provuar që të kontaktojë edhe me Policinë për rajonin e Mitrovicës, Prokurorinë Themelore në Mitrovicë dhe Zyrën e Kryeprokurorit, por që ende nuk janë kthyer përgjigjet lidhur me këtë rast./Indeksonline/