Familja e heroit Ilir Konushevci kërkon që të zbardhet vrasja e tij. Nipi mban me krenari emrin e heroit.

E mban me krenari emrin e heroit Ilir Konushevci. Është ky nipi i dëshmorit, 21 vjeçari Ilir Konushevci.

I lindur po në atë vit kur u vra Iliri, nipi i tij thotë se nga rrëfimet e të tjerëve, i duket se e ka parë të gjallë.

Iliri i ri, që studion në Londër për ekonomi, thotë se ku do që shkon tregon me krenari emrin që e mban.

E me rastin e 21 – vjetorit të rënies së dy dëshmorëve, Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj, nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, është mbajtur edhe një akademi përkujtimore,

Fjalë të mëdha për dëshmorët Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj tha gjenerali nga Shqipëria, Kudusi Lama.

Homazhe për dy dëshmorët u bënë edhe te varrezat e tyre në lagjen Velania.

Lule tek varri vendosi edhe gruaja e Ilir Konushevcit, Luljeta.

Janë bërë 21 vjet që atë e përcjell ndjenja e njëjte; e dhimbjes dhe krenarisë.

Ilir Konushevci dhe Hazir Mala janë vrarë më 9 maj 1998, në Bajram Curr të Shqipërisë dhe nga ajo ditë ende nuk është zbardhur vrasja e tyre.