Debatin për braktisjen e vendit e kanë rikthyer disa statistika të publikuara në mediat ndërkombëtare, të cilat e radhisin Kosovën në vendin e parë kur bëhet fjalë për ikje të popullatës. Kryeministri Ramush Haradinaj thotë se këto shifra nuk janë reale. Opozita fajëson pushtetin se ka lënë popullin e pashpresë, ndërsa demografi Rifat Blaku thotë se numri i popullsisë po bie, por jo aq sa po paraqitet në statistikat ndërkombëtare.

Albioneta Ademi

Komisioni për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian ka publikuan një raport me 14 shtete për ritmet e migrimit, në mesin e së cilës është edhe Kosova.

Në fakt Kosova prin në këtë listë me 15.4 për qind të popullsisë së larguar nga vendi për 10 vjet . Ky raport është publikuar nga The Guardian.

Derisa raportohet se çdo ditë largohen njerëzit nga vendi, në Qeverinë e Kosovës nuk kanë pasur asnjë përgjigje rreth statistikave të publikuara së fundmi.

Vetë kryeministri Haradinaj javë më parë ka folur rreth dukurisë së largimit kryesisht të të rinjve nga vendi.  Ai ka pranuar se politika po shkakton dëshpërimin te qytetarët aq sa të kërkojnë mirëqenie në vende të tjera.

“Politika i ka fajet edhe unë i kam fajet që qytetarët po ikin nga vendi”, pati thënë Haradinaj në konferencën për media, ku po fliste për punësimet partiake.

Sot ai përmes një shkrimi në Facebook, tha statistikat reale qëndrojnë ndryshe dhe përmendi ikjet masive të 2015’ës për të përfshirë në faj edhe Qeverisjen e Isa Mustafës.

“Kisha kënaqësi të ndaj me ambasadorin Heldt statistikat e fundit reale të migrimit, ku Kosova tregon qartë se nuk përbënë rrezik të migrimit, duke shënuar trendin më të vogël ndër vite me vetëm 723 raste të kërkesave për migrim në vitin 2018”, shkroi kryeministri Haradinaj pas takimit me diplomatin gjerman, Christian Heldt.

Ndërkaq, opozita ikjen dhe zvogëlimin e popullsisë ka vetëm një target për ta fajësuar: pushtetin, që s’po i lë rrugë tjetër qytetarëve përpos ta braktisin vendin për jetë më të mirë diku tjetër.

Deputeti i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka thënë për Gazetën Express se pikërisht politika e instaluar nga koalicioni i tanishëm po i shtyn të tjerët të dalin nga vendi.

“Një Qeveri e përgjegjshme nuk i konteston numrat kredibil te organizatave ndërkombëtare. Një Qeveri e përgjegjshme reflekton mbi politiken e vet kaotike që krijon. E është pikërisht kjo politike kaotike e instaluar e mirë instaluar në Kosovë, sidomos gjatë qeverisjes PAN, që shtynë të rinjtë e te rejat të humbasin shpresën ne vend”, ka thënë Abdixhiku.

Ai tutje shton se qeverisja Haradinaj ka lënë braktisjen e vendit të vetmin opsion.

“Kur ke një Qeveri që punëson vetëm familjare e militantë partiakë – dhe mbi te gjitha i arsyeton pa turp ato; kur ke një Qeveri që keqpërdorë 200 milionë euro te buxhetit për një vit; që jep ministra të dënuar e me aktakuzë; që e mbanë një vend peng të kauzave fiktive për viza; e që i humbë plot 17,000 vende pune për një vit – ikja, fatkeqësisht, është përfundim i vetëm logjik”, thotë deputeti i LDK’së.

E, demografi Rifat Blaku për Gazetën Express shpjegon ritmet e rënies së popullsisë dhe sqaron pse, sipas tij, shifrat e migrimit dolën aq të larta, sa Kosova të prijë me numrin e popullsisë që e kanë braktisur vendin brenda një dekade.

Blaku thotë se shifrat e publikuara nga gazeta The Guardian, mund të mos përfshijnë të gjithë ata që kanë shkuar jashtë vendit, por janë rikthyer sërish.

“Për Kosovën me gjasë kanë marrë vitet 2014-2015, kur ishte një fluks i pakontrollueshëm rreth 90 mijë kosovarë që e lëshuan Kosovën. Por, nuk i kanë marrë të dhënat se 95 për qind e atyre që janë larguar janë kthyer. Ka ngatërresë metodologjike”, ka thënë Blaku.

Megjithatë ai nuk mohon largimet e kosovarëve nga vendit, por shifrat, sipas tij, nuk janë aq të larta sa ka Komisioni për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, që përfshin dekadën e fundit.

“Pas luftës shkalla e emigracionit ka qenë e madhe. Kjo trajtohet në dy rrafshe. E para sepse kanë pasur pasiguri në punësimi

Ai thotë se do të ketë rënie të shtimit natyror, për shkak se në Kosovë nuk po ndodhë rritja si e para 20-30 vjetëve.

“Në dekadat e ardhshme Kosova do të ketë rënie të shtimit natyror”, ka thënë demografi.

Ai thotë se edhe më tutje Kosova qëndron shumë më mirë se sa vendet e tjera të rajonit me shtim të popullsisë.