Ikja e qytetarëve shkaktoi rënie të të hyrave

Në dy muajt e parë të këtij viti, të hyrat doganore kanë rënë ndjeshëm. Faktori kryesor për rënien e të hyrave prej 15%, llogaritet të jetë rënia e konsumit nga vala e ikjes së qytetarëve nga vendi.
Drejtuesit e Doganës, që këtë vit duhet t’i mbledhin rreth 1 miliard euro, presin nga qeveria që të ndryshojë parashikimet, pasi që edhe me paralajmërimet për një numër lirimesh doganore, e bën të pamundur arritjen e parashikimeve, raporton KTV.
Lulëzim Rafuna, Drejtor i Doganës së Kosovës, ka thënë se Serbia vazhdon të mbetet eksportuesi kryesor në vendin tonë, përderisa në vendin e dytë është ngjitur Gjermania, nga e cila kohëve të fundit ka filluar të rritet importi i shumë produkteve, pavarësisht se struktura importuese nuk ka pasur ndonjë ndryshim.
Ky institucion rrezikon të mos i arrijë parashikimet qeveritare për mbushje të buxhetit, sidomos pas paralajmërimeve të ekzekutivit që të bëjë një numër lirimesh doganore, me qëllim të nxitjes së investimeve dhe rritjes ekonomike të vendit, transmeton Koha.net.
Andaj, Dogana po pret nga Ministria e Financave që të ndryshojë skemën e parashikimeve për mbledhje të të hyrave deri në rishikim të buxhetit, që do të ndodhë në qershor.