IFIMES: Thaçi bllokoi njohjet, 72 % të qytetarëve e vlerësojnë negativisht punën e tij

Instituti Ndërkombëtar për Studime në Lindjen e Mesme dhe Ballkan (IFIMES), me qendër në Slloveni, është një institut i cili në mënyrë periodike përgatit analiza për zhvillimet në këto rajone, shkruan Gazeta Express.

Ky Institut ka përgatitur një analizë edhe për situatën aktuale politike në Kosovës, përmes matjes së opinionit publik për çështje të cilat kanë të bëjnë me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për idenë e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi,  për lëvizje të kufijve dhe shkëmbim të territoreve si zgjidhje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Loading...

Sipas analizës së përgatitur nga ky Institut, del se 72.3 për qind e të anketuarve e vlerësojnë negativisht punën e deritanishme të Hashim Thaçit si kryenegociator në dialogun me Serbinë në Bruksel.

Vetëm 16.1 për qind e kanë vlerësuar pozitivisht punën e tij, ndërsa pjesa tjetër e të anketuarve janë shprehur të pavendosur lidhur me këtë.

Sa i përket stagnimit të njohjeve për Kosovën dhe tërheqjes së tyre, siç shkruan kjo analizë e IFIMES, thuhet se janë si shkak i veprimeve të ndërmarra nga presidenti Thaçi, të cilat kanë shkaktuar pasiguri tek shtete tjera, të cila po presin se çfarë do të ndodh me Republikën e Kosovës që të ndërmarrin veprimet e tyre më pas.

Në këtë sondazh gjithashtu është vlerësuar se situata politike është shumë e keqe, dhe një përqindje shumë e lartë e të anketuarve mendojnë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.

Po ashtu sa i përket punës se deritanishme të Qeverisë Haradinaj, 71.5 për qind e kanë vlerësuar negativisht, ndërsa vetëm 19.1 për qind kanë vlerësim pozitiv për punën e qeverisë.

Në këtë analizë shumica e të anketuarve janë pro anëtarësimit të Republikës së Kosovës në NATO dhe Bashkim Evropian, ndërsa 74.6 për qind janë shprehur kundër themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

Në pyetjen se cilën parti do ta votonit nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, 28.3 për qind janë përgjigjur se do të votojnë për Lidhjen Demokratike të Kosovës, 23.1 për qind për Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa 22.9 për qind për Partinë Demokratike të Kosovës.

Kjo matje e opinionit publik nga IFIMES është kryer gjatë periudhës kohore 19-28 shtator, dhe shkalla e besueshmërisë së sondazheve është 95 për qind./GazetaExpress/