Do të duhej të ishte dita më e lumtur për nusen e re shqiptare, rezidente në Zelandën e Re, por nuk ka qenë e tillë.

Shkak është bërë refuzimi për t’i dhënë vizë nga shteti neozelandez, hallën e saj që jeton në Shqipëri, Shpresa Rraku.

Kjo ka indinjuar jo pak 30-vjeçaren Armela Lushi e cila e ka kaluar dasmën mes lotësh duke qarë mungesën e hallës së saj 61 vjeçare.

Sipas asaj që bëjnë të ditur mediat lokale në Zelandën e re, pensionistes shqiptare iu mohua disa herë viza, për shkak se Imigracioni konsideronte se 61-vjeçarja nuk plotësonte të gjitha kushtet.

Nëna e nuses shqiptare, Xheni  Hajderaj, e cila jeton prej 23 vitesh në Zelandën e Re thotë se vendimi i agjencisë shkaktoi “siklet” dhe “dhimbje” për vajzën e saj.

“Kjo është absolutisht e turpshme për familjen. Unë kam pasur motrat e mia të tjera që vijnë nga Shqipëria më parë dhe ata nuk bënë asgjë të keqe, sa ishin këtu. Vajza ime është shumë e afërt me këtë hallë dhe kjo situatë vetëm sa ia ka prishur gjithë martesën “, tha Hajderaj.

Por Jeannie Melville, ndihmësja e përgjithshme Zelandën e Re, thotë se refuzimi i vizës ka ardhur për shkak të forcimit të rregullave.

Sipas Mevlille, janë një sërë faktorësh që do të duhet të plotësohen nga aplikanti për të marrë vizë.

Kjo përfshin: një pasaportë të mirëfilltë dhe të vlefshme, karakter të mirë, shëndet të mirë dhe fonde të mjaftueshme për të mbështetur qëndrimin në Zelandën e Re – të paktën $ 1000 në muaj për mirëmbajtje dhe akomodim ose $ 400 në muaj nëse akomodimi është i parapaguar.

Vetëm në vitin 2017/18, Zelanda e Re ka refuzuar 38,268 aplikantë për vizë.