Haradinaj thotë se Gent Begolli dha dorëheqje për shkak të vështirësive në Telekom

Janë bërë dy ditë që prej se Gent Begolli ka dhënë dorëheqje nga pozita e Drejtorit të PTK’së. Por, ende askush nuk po e di se cila është arsyja që e shtyri Begollin të marrë një vendim të tillë. Vet Begolli ende nuk është deklaruar për arsyen e dorëheqjes, ndërkohë sipas Kryeministrit Haradinaj, Begolli u largua për shkak të vështirësive në Telekom, shkruan Gazeta Express.

Ende nuk po dihet arsyeja se pse Gent Begolli dha dorëheqje nga pozita e të parit të Telekomit. Vet Begolli, as pas dy ditësh nuk ka dhënë ndonjë deklaratë për arsyet e dorëheqjes.

Loading...

Por, sot Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur për largimin e Begollit nga kjo pozitë. Sipas të parit të Qeverisë, Begolli dha dorëheqje për shkak të vështirësive në Telekom.

“Me Gent Begollin kam bisedu pak para se të largohet nga detyra dhe ka shpjeguar sfidat në marrjen e vendimeve. Është e vështirë të merren vendime dhe për probleme të kompanisë Genti ka thënë se vizioni për me zhvillu kompaninë nuk është i sigurt në këto rrethana dhe ka dashur të largohet nga detyra dhe unë besoj se Genti mund të kryejë punë të shumta që të ketë sukses”, tha Haradinaj.

Begolli ishte zgjedhur në krye të Ndërmarrjes Publike, Telekomi i Kosovës, gjatë muajit qershor, dhe ushtroi pozitën e drejtorit për rreth katër muaj.

Ndryshe, Begolli ka qenë drejtor i shërbimeve publike në qeverisjen e kaluar në Prishtinë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ai ishte bartës i listës së AAK-së në zgjedhjet lokale për Komunën e Prishtinës.

Tash e një kohë PTK ndodhet në krizë, madje mediat dhe njohësit e çështjeve ekonomike kanë theksuar se kjo ndërmarrje publike është drejt falimentimit./Gazeta Express