Haradinaj: Të gjithë së bashku do ta mbajmë Kosovën të pastër

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i shoqëruar edhe nga kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj dhe gjenerali John Boyd, nga KFOR-i amerikan, i janë bashkuar edhe sot aksionit të pastrimit në kuadër të fushatës “Ta pastrojmë Kosovën”, që u zhvillua në magjistralen Prishtinë- Pejë, deponia afër rrugës kryesore në fshatin Dollcë.

Loading...

Kryeministri Haradinaj tha tashmë janë gati deri në largimin e plotë të bërllokut dhe shtoi se i ka pëlqyer fjala e gjeneralit Boyd kur tha se më e mira e Kosovës janë njerëzit e tij, populli.

”Jam i bindur se njerëzit e Kosovës, kanë me e ruajtur Kosovën e pastër që më mos të gjuhet bërllok edhe mendoj që po e përmbyllim tani diku në mes të dhjetorit aksionin për pastrim. Jam thellë i bindur që do të jemi bashkë që vendin tonë ta ruajmë tash e tutje, ta mbajmë të pastër. Besoj që do ta ruajmë Kosovën e pastër dhe nuk do të gjuhet më bërllok dhe për këtë duhet të jemi bashkë”, theksoi kryeministri Haradinaj.

Gjenerali i KFOR-it, John Boyd, tha se tre muaj më vonë është i lumtur të shoh progresin që është bërë.

”Më e bukura e këtij vendi, janë njerëzit e tij. Derisa ne largojmë bërllokun dhe e bëjmë Kosovën të pastër, kjo është një dëshmi për njerëzit e këtij vendi dhe sa i bukur është vendi i tyre. Jam krenar që jam pjesë e tij”, tha gjenerali Boyd.

Nga ana e tij, Koordinatori i “Let’s Do It Kosova”, Luan Hasanaj tha se janë në fazën e fundit të aksionit ta pastrojmë Kosovën dhe se tani janë të fokusuar në brezin rrugor, ku sipas tij janë rreth 85 deponi ilegale të cilat deri më 15 dhjetor do të pastrohen.

“Unë nga këtu dua t’ju bëj apel të gjithëve që të paktën këto hapësira që janë afër rrugëve, afër parqeve dhe vendet turistike të Kosovës t’i ruajmë, sepse aksione si këto po na marrin mund dhe kanë kosto”, tha Hasanaj, sipas të cilit deri më tani janë pastruar 600 deponi dhe fatkeqësisht, një pjesë e tyre kanë filluar të kthehen vetëm për faktin se kompanitë ndërtuese dhe qytetarët e pandërgjegjshëm nuk po e kuptojnë se duhet të ruhet ky vend.

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj deklaroi se edhe ata si komunë janë mobilizuar që në përditshmërinë e tyre të bëjnë pastrimin dhe u shpreh i sigurt se do të ndikojnë në mbrojtjen e mjedisit.